Kryeministri thotë se LVV kërkoi figurë tjetër pasi paraprakisht ishte e qartë se nuk siguroheshin votat e nevojshme në Kuvend.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpjeguar arsyet pse Vjosa Osmani nuk u propozua sërish për presidente, duke thënë se ishte e qartë paraprakisht se ajo nuk do ta garantonte kuorumin e nevojshëm në Kuvend.
Në një konferencë për media, Kurti tha se fillimisht kishte përpjekje për të gjetur një figurë konsensuale për postin e presidentit.
Sipas tij, rrugën për propozime partiake e kishte hapur Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ndërsa më pas Lëvizja Vetëvendosje vendosi të dalë me një propozim të vetin.
“Ne jemi përpjekur për të gjetur figurën konsensuale. Shtegun për propozime partiake e nisi PDK-ja. Kur u afrua afati, ne menduam se duhet të dilnim me një propozim dhe erdhëm me emrin e Glauk Konjufca. Mendoj se ka qenë vendim i duhur dhe i drejtë i kryesisë së VV-së”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi se paraprakisht ishte e ditur se as presidentja aktuale dhe as një kandidat tjetër potencial nuk do ta garantonin kuorumin në Kuvend, gjë që sipas tij u pa edhe në votimin e fundit me vetëm 66 deputetë të pranishëm.
“Në këtë situatë, ne kemi bashkëpunuar me partitë tjera. Kjo është arsyeja kryesore pse kemi vepruar ashtu siç kemi vepruar dhe në fund erdhëm në situatën ku nuk ishte kandidate as presidentja aktuale”, deklaroi Kurti.