Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot” komentoi bashkimin e kastit të vjetër politik të PDK-së, me Sami Lushtakun, Adem Grabovcin e Fatmir Limajn e Nismës, ku ky i fundit po përflitet për një rikthim të mundshëm në Partinë Demokratike të Kosovës.
Fillimisht, analisti tha se partitë opozitare, po shpresojnë që të ketë zgjedhje të reja, gjë që nuk e përjashtoi, për faktin se kryeministri Kurti nuk do ta pranojë Asociacionin dhe kësisoj mund të ketë zgjedhje të reja.
“Për habi lideri i njërit prej grupacionit më minor politik si NISMA, Fatmir Limaj, që në zgjedhjet e fundit, ka rënë edhe nën pragun edhe ashtu minimal zgjedhor, në dy vjetorin e themelimit, është shprehur se partitë opozitare janë bashkuar dhe kanë themeluar një opozitë të “fortë”, prandaj ëndërron se edhe zgjedhjet e ardhshme janë shumë afër.
Në fakt, zgjedhjet e ardhshme, realisht mund të jenë shumë afër dhe të ndodhin në çdo moment, jo për shkak të bashkimit të opozitës, sepse përkundër numrit të “madh” të subjekteve politike që e “përbëjnë”, mbetet thellësisht më e vogël se pozita në pushtet, por zhvillimet me dialogun, veçanërisht mospranimi i kryeministrit Kurti për formimin e “Zajednicës” së nënshkruar nga partitë renegate opozitare PDK-LDK, të cilat asokohe ishin në pushtet, mund të bëjnë, që Qeveria për ta shpëtuar vendin nga bosnjëzimi, të dorëhiqet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja”, deklaroi ai.