Ky qëndrim, sipas analistit politik, Gani Qarri, bëhet edhe më i çuditshëm, kur dihet që përveç mosbindjes së Serbisë për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, ajo të njëjtës i ofron edhe mbështetje ekonomike, morale dhe politike, akte këto që sipas tij, janë në kundërshtim me perspektivën integruese evropiane.

“Në fakt tanimë nuk shohim vetëm mbështetje të pjesshme dhe njëanshmëri të kufizuar vetëm të dy përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian si Josep Borell dhe Mirosllav Lajçakut, por edhe “simpati” absurde dhe përkëdhelje të hapur të të gjithë BE-së, ndaj qasjes kaq destruktive të Serbisë hegjemoniste. Për aq më tepër, qëndrimi përkëdhelës i BE-së, ndaj Serbisë, bëhet edhe më i çuditshëm, kur të kihet parasysh se nuk janë më vetëm veprimet gjithnjë e më agresive ndaj Kosovës, por përveç mosbindjes së Serbisë për t’iu bashkuar sanksioneve evropiane kundër Rusisë, Serbia i ofron edhe mbështetje ekonomike, morale dhe politike Rusisë, akte këto, që vërtetë janë në kundërshtim të plotë me perspektivën integruese evropiane dhe politikën e jashtme të BE-së”, thotë ai.
Derisa flet për qasjen e BE-së karshi Serbisë, ai thekson se në tërë këtë situatë më së rëndi e pëson Kosova.
“Mjerisht, krejt kjo dëshmon se edhe pas rënies, së sistemeve komuniste, disa vende të bllokut të lindjes, të cilave padrejtësisht iu deleguan mandate në strukturat vendimmarrëse të BE-së, as sot nuk janë në nivel të detyrave evropiane që kanë marrë përsipër dhe as të përgjegjshme sa duhet ndaj obligimeve, që ligjërisht dhe në parim kanë, për trajtimin e barabartë dhe të paanshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, qasje pasojat e të cilave, për fat të keq, më së rëndi po i pëson Kosova, që nga mosnjohja deri te trajtimi i pabarabartë, veçanërisht nga pesëshja e shteteve mos njohëse të BE-së”, deklaron ai.
Tutje Qarri thekson se, për hirë të ruajtjes së paqes në Ballkan, BE duhet t’i trajtoj të gjitha shtetet në mënyrë të paanshme.
“Kjo qasje destruktive e BE-së, që mjerisht, tanimë është shtrirë edhe në kontekstin kontinental, ashtu siç kanë kërkuar në letrën e tyre edhe mëse 56 deputetë dhe politikanë evropianë, duhet të ndryshojë sa më parë, pikësëpari për një trajtim më të denjë, të drejtë dhe të barabartë për Kosovën, e pastaj edhe për hir të ruajtjes së qetësisë dhe paqes në rajon, përndryshe BE, njëjtë si me okupacionin rus në Ukrainë, po rrit edhe orekset e Serbisë hegjemoniste për ringjalljen e frymës okupuese, gllabërimin me forcë të territoreve të shteteve fqinje që nga Bosnja dhe Mali i Zi, e deri në Kosovë, si dhe rikthimin në të kaluarën e errtë, për shtetet dhe popujt më properëndimor siç janë shqiptarët në Ballkan”, thotë ai për “Bota sot”.