Analisti politik Gani Qarri, shprehet se gjersa kryetarët e komiteteve për politikë të jashtme të vendeve më të fuqishme perëndimore bëjnë thirrje publike për qasje më të ekuilibruar në bisedime, opozita vazhdon luftën e paskrupullt kundër qeverisë dhe shtetit të Kosovës.
Ai shpreh çudi se pse opozita nuk u bashkohet kritikave publike ndërkombëtare kundër Vuçiqit dhe Serbisë hegjemoniste.
“Përderisa kryetarët e komiteteve për politikë të jashtme të vendeve më të fuqishme perëndimore të SHBA-së, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe kreut të Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Ukrainas, Oleksander Merezhko, në një letër të përbashkët i bëjnë thirrje publike Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar etj., që përfundimisht të tregojnë qasje më të ekuilibruar në bisedimet Kosovë-Serbi dhe të mbajnë qëndrim më kritik ndaj presidentit serb Aleksandër Vuçiq duke mos lejuar më ndërhyrjet e tij, në çështjet e brendshme të Kosovës dhe mos toleruar pengimin e pakicës serbe për pjesëmarrje në zgjedhje, opozita e inkriminuar vazhdon luftën e paskrupullt, kundër Qeverisë dhe shtetit të Kosovës. Dhe në kohën kur kryetarët e komiteteve për politikë të jashtme të vendeve më të fuqishme perëndimore u bëjnë thirrje SHBA-ve dhe BE-së, që ndërhyrjet e Serbisë në Kosovë, të dënohen e konsiderohen interferim i huaj, dhe për çdo ndërhyrje e eskalim të mbahet përgjegjëse Serbia, përderisa Kosova është shtet sovran dhe me demokraci funksionale, çuditërisht në vend se edhe opozita e inkriminuar, tu bashkohet kritikave publike ndërkombëtare kundër Vuçiqit dhe Serbisë hegjemoniste, ajo pa fije turpi, vijon ta kritikojë Qeverinë e Kosovës dhe mbanë atë, për çdo gjë përgjegjëse, madje edhe për trazirat që Serbia shkakton në veri të Kosovës, ku përveç policëve dhe civilëve, sipas shefit të NATO-së, Jens Stoltenberg, u plagosën edhe rreth 90 pjesëtar të KFOR-it, nga kriminelët serb dhe grupet kriminale të dërguara enkas nga Serbia në veri të Kosovës!”, shprehet Qarri.
Ai kritikon PDK-në dhe LDK-në që kanë kundërshtuar iniciativën e Qeverisë së Kosovës që kryetarët e katër komunave të veriut të zëvendësohen përmes rrugës ligjore.
Sipas Qarrit, sjellja e tyre është tendencë e hapur për vrasjen e shpresës së qytetarëve dhe pengimin e normalizimit të gjendjes së brishtë politike në Kosovë.
“ Për aq më tepër, në momentin kur, siç raporton “Tagesspiegel”, politikanët perëndimorë i bëjnë thirrje publike SHBA-së dhe vendeve më të fuqishme evropiane, që të reagohet sa më me vendosmëri kundër tendencave destabilizuese të Serbisë, në territorin e vendit tonë, tani kur edhe Qeveria e Kosovës, ashtu siç insistohet nga SHBA dhe BE, është në përfundim të përgatitjes së udhëzimit administrativ, për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat e veriut, PDK dhe LDK, të cilat në vazhdimësi kanë kërkuar që Qeveria e vendit tu bindet kërkesave ndërkombëtare, tani çuditërisht, kanë marrë pozicionim krejt tjetër dhe paralajmërojnë se do ta kundërshtojnë me çdo mundësi, një formë të tillë të zgjidhjes së problemit në veri. Shto kësaj faktin tjetër pozitiv, si paralajmërimi i vizitës së Papa Françeskut që ai pritet t`ia bëj Kosovës, akt me të cilin përafrohet edhe njohja e shtetit të pavarur të Kosovës nga Vatikani, si dhe inspiron vendet mos njohëse të BE-së, që ta ndryshojnë qëndrimin e mbajtur deri më tani dhe pranojnë pavarësinë e Kosovës, paralajmërimi i PDK-së dhe LDK-së, për ta kundërshtuar iniciativën e Qeverisë së Kosovës që kryetarët e katër komunave të veriut të zëvendësohen përmes rrugës ligjore, me qëllimin e keq, që ta vejnë në pozitë të “pa rrugëdalje” Qeverinë e Kosovës dhe ta pengojnë procesin e filluar përgatitor nga ana e Qeverisë, për shtensionimin e gjendjes dhe zgjidhjen e problemit të kryetarëve në katër komunat veriore, janë tendencë e hapur, për vrasjen e shpresës së qytetarëve dhe pengimin e normalizimit të gjendjes së brishtë politike në Republikën e Kosovës, veprim i cili duhet dënuar në mënyrën më të ashpër nga të gjithë qytetarët pa dallim partie dhe bindje politike. Të gjitha ato të cilat fatmirësisht, nuk po arrin më, ti realizojë Vuçiqi dhe Serbia brenda territorit të Kosovës, tani fatkeqësisht këtë rol të pazakontë e tejet negativ, e ka marrë mbi vete, opozita e inkriminuar e cila është hedhur në sulm frontal dhe po lufton ditë e natë, që me çdo mjet e mundësi politike duke keqpërdorur jo rrallë në mënyrën më kundër kushtetuese të mundshme deri në paligjshmëri, edhe oponencën opozitare, për ta goditur nga çdo anë Qeverinë dhe ta dëmtojë sa më rëndë shtetin e Kosovës”, thekson Qarri.
Letrën e politikanëve ai e quan si të arriturën e madhe dhe teje pozitive për Kosovën.
“Përndryshe letra e përbashkët me sugjerime ndaj Fuqive të Mëdha, e hartuar nga kryetarët e komisioneve për politikë të jashtme të Bundestagut gjerman Michael Roth, të Senatit të SHBA-ve Bob Menendez, të Parlamentit britanik Alicia Kearns dhe kryetarët e komisioneve të punëve të jashtme të parlamenteve të Republikës Çeke, Ukrainës, Irlandës, Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, vërtetë është një e arritur tepër e madhe dhe tejet pozitive për Kosovën, e cila përveçse në mese 12-13 vite dialog, ndodhë për herë të parë, balancon edhe pozicionin e Kosovës në bisedimet e mëtejme me Serbinë si dhe vjen në një moment tepër të rëndësishëm për Kosovën, kur pritet të vendoset jo vetëm për katër kryetarët e komunave në veri por edhe për integrimin e tërësishëm politik dhe ligjor të veriut, në sistemin juridiko- kushtetues të Republikës së Kosovës”, përfundon Qarri.