2:11 / 4 April 2024
QEVERIA E KURTIT NUK MBIJETON POR JETON
Autor : Lirim Gashi
Mund të gjeja dobësi të panumërta në qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.
Këto dobësi konsistojnë në paaftësinë profesionale, mungesën e punës në grup, stafin e patrajnuar dhe të pakoordinuar, mungesën e përvojës menaxheriale dhe korrupsionin rrëshqitës.
Por pavarësisht kësaj performance të dobët, qeveria e tij është më e mira që kemi pasur ndonjëherë.
Mund ta akuzojmë Albin Kurtin, duke rënkuar nga frika si karkalecat, se po rrezikon marrëdhëniet tona me SHBA-në, por nuk do të gjejmë kurrë prova të qëndrueshme për këtë.
Është tronditëse se sa pluhur po ngrihet pa nevojë nga disa prej politikanëve tanë të paturpshëm dhe të paskrupullt të opozitës, të cilët kanë lobuar kundër tij në SHBA me paratë e taksapaguesve kosovarë për ta portretizuar atë si një politikan ekstrem të majtë, të krahasueshëm me Maduron e Venezuelës.
Rezultati:
Shumë diplomatë amerikanë që ranë viktimë e propagandës së Grenellit kishin paragjykime qesharake ndaj tij dhe ai nuk kishte as një shans teorik për të krijuar marrëdhënie të besueshme reciproke me ndonjërin prej tyre.
Rrugës drejt qëllimit final, ai u ndesh me shumë pengesa pothuajse të pakapërcyeshme që ia vunë disa politikanëve famëkeq opozitarë të Kosovës, të cilët gurunë e tyre shpirtëror e gjetën tek vëllai i dashur i Vuçiqit, Edi Rama, i cili i magjepsi ata me idetë e tij të sëmura politike.
Megjithatë ata kurrë nuk arritën t’ia humbnin Albinit besimin e tij të palëkundur dhe kokëfortë se herët a vonë do ta fuste Vuçiqin nën rrotat e trenit të tij, për ta bërë copë e grimë si milingonën.