Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për themelimin e Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm në forcimin e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit.
Sipas qeverisë, kjo byro do të ketë për detyrë verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë që dyshohet se është fituar në mënyrë të paligjshme, me qëllim rritjen e llogaridhënies së zyrtarëve publikë dhe forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.
Projektligji pritet të kalojë për shqyrtim dhe miratim edhe në Kuvendin e Kosovës. Nëse miratohet, Byroja do të krijojë mekanizma të rinj për kontrollin e pasurisë së pajustifikueshme dhe për konfiskimin e saj në përputhje me procedurat ligjore.