Kryeministri shqiptar tha se pa simpati dhe besim ndërkombëtar nuk ka asnjë përparim, duke kritikuar mungesën e progresit të Kosovës në forcimin e miqësive globale.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur mbi çështjen e bashkimit kombëtar, duke theksuar se kjo tezë ka kuptim vetëm në raport me Bashkimin Evropian dhe sinergjinë që krijohet brenda tij.
Në një intervistë për Jehona Politike në Klan Kosova, Rama tha se është e pamundur të ketë përparim në këtë drejtim pa fituar simpati dhe besim të plotë ndërkombëtar. Sipas tij, Kosova nuk ka bërë progres në aspektin e zgjerimit dhe forcimit të miqësive ndërkombëtare.
“Është e pamundur të përparohet në asnjë lloj drejtimi në këtë aspekt pa krijuar besim dhe simpati të plotë ndërkombëtare. Kjo nuk bëhet se duam ne, por bëhet nëse kemi miqtë dhe aleancat e mjaftueshme për t’ia dalë. Në këtë aspekt, fjala më e butë që mund të thuhet është se nuk ka asnjë progres,” u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi “bashkimin kombëtar” jashtë Bashkimit Evropian si një fantazi. “Bashkimi kombëtar, sipas meje, është vetëm bashkimi me Evropën dhe asgjë tjetër. Çdo gjë tjetër është përrallë që gjithkush mund t’ia tregojë vetes, por nuk ka asnjë shans të realizohet në realitet,” tha ai.
Rama shtoi se në shekullin 21 nuk mund të mendohet me formula të shekujve të kaluar. “Për mua, nëse flasim për bashkim kombëtar, flasim për Bashkimin Evropian. Nëse flasim për bashkim kombëtar jashtë Bashkimit Evropian, jemi duke folur me vete dhe për vete, por as për vete jo, sepse është një fantazi që s’ka lidhje me realitetin,” theksoi kryeministri.