Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur ta konstituojnë as pas tentimit të shtatë radhazi, pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit nuk mori votat e nevojshme as në seancën e së dielës.
Në këtë situatë të bllokuar politike, analisti Burim Ramadani ka deklaruar se javën e ardhshme pritet të zhbllokohet konstituimi i Kuvendit, duke lënë të kuptohet se është arritur një zgjidhje e ndërmjetme.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka paralajmëruar se pas konstituimit të Kuvendit, sfida tjetër do të jetë formimi i Qeverisë së re. Megjithatë, Ramadani ka theksuar se, sipas tij, nuk ekziston mundësia për formimin e një Qeverie “Kurti 3”.
“Në javën e ardhshme me gjasë zhbllokohet konstituimi i Kuvendit, përmes një solucioni të ndërmjetëm. Pastaj fillon pjesa e dytë e ballafaqimit politik: formimi i Qeverisë së re!
P.S. Nuk ka Qeveri Kurti3!”, ka shkruar ai.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka njoftuar se seanca e radhës do të mbahet të martën. Në prag të saj, përfaqësues të partive parlamentare kanë paralajmëruar përsëri dështim, duke thënë se qëndrimet e tyre mbeten të pandryshuara.
Gati tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kuvendi vazhdon të mbetet i pakonstituuar për shkak të mospajtimeve mes partive më të mëdha rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Në seancën e sotme, deputetët do të duhej të zgjidhnin kryetarin dhe pesë nënkryetarët, proces ky i domosdoshëm për ta hapur rrugën drejt formimit të Qeverisë së re.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje doli fituese me rreth 42 për qind të votave, duke siguruar 48 ulëse në Kuvend. Megjithatë, për të formuar qeverinë e re, asaj i duhen të paktën 61 vota. Pas LVV-së, më së shumti vota mori Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 24 ulëse, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 20 ulëse. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma kanë fituar gjithsej tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë Nismës.
Bashkimi Evropian ka përsëritur ditë më parë thirrjen që Kosova të formojë sa më shpejt institucionet e reja./Telegrafi/