Kreu i AAK-së thotë se qytetarët po kërkojnë kthim në realitet dhe largim nga “imagjinata politike”, duke e parë Aleancën si alternativë për dalje nga kriza.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka shpalosur pozicionet dhe misionin e AAK-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ai theksoi se Kosova ka nevojë urgjente për ndryshim, për të rikthyer mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve të saj.
Haradinaj deklaroi se gjendja aktuale në vend është e vështirë dhe se shumë sektorë, veçanërisht shëndetësia dhe arsimi, po përballen me vështirësi të theksuara. Sipas tij, qytetarët janë të lodhur nga “jetesa në margjina dhe imagjinatë politike”, dhe po kërkojnë kthim te realiteti dhe zgjidhjet konkrete.
“Gjendja në Kosovë nuk është e mirë. Nuk i ke mirë as personelin mjekësor, as ata në arsim të lartë, askund. Nuk po duam të vajtojmë, jemi optimistë, por situata është krejt tjetër,” u shpreh Haradinaj.
Ai tha se një numër i madh i qytetarëve, përtej elektoratit të AAK-së, po i besojnë Aleancës si forcë që mund të nxjerrë vendin nga kriza aktuale.
“Ky seriozitet i situatës ka bërë që shumë njerëz, jo vetëm nga Aleanca, por edhe të tjerë që iu janë bashkuar listës sonë, të besojnë se ne mund ta ndihmojmë Kosovën në mirëqenie, në siguri dhe në ruajtjen e identitetit tonë,” shtoi Haradinaj.
Ai përfundoi duke theksuar se AAK është e gatshme të marrë përgjegjësinë për të udhëhequr ndryshimin që, sipas tij, shumica e qytetarëve e dëshirojnë dhe e presin.