Kosova po shënon një nga sukseset më të mëdha të saj në qeverisje dhe shtetndërtim. Raporti i fundit i SIGMA/OECD 2024 e rendit Republikën e Kosovës mbi mesataren e vendeve të Evropës Juglindore në të gjitha gjashtë fushat e matjes – një ndryshim i madh krahasuar me vitin 2021, kur Kosova ishte më poshtë në pesë prej tyre.
Kryeministri Albin Kurti tha në fjalimin e tij në KosovaPAR2025 se ky progres i jashtëzakonshëm është dëshmi e reformave të thella të qeverisë dhe e mbështetjes ndërkombëtare.
“Për herë të parë pas luftës, Banka Botërore dhe FMN e kanë larguar Kosovën nga lista e shteteve me institucione të brishta. Kjo tregon se Kosova është një rrëfim suksesi i përpjekjeve kombëtare dhe i ndihmës ndërkombëtare. Ndryshimet tona janë të pakthyeshme,” theksoi Kurti.
Ai shtoi se reformat në administratën publike, digjitalizimi dhe racionalizimi i agjencive janë prioritetet e radhës, duke theksuar se “rruga e Kosovës është drejt forcimit të institucioneve dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve”.