Qytetarët e Kosovës janë të zhgënjyer me sistemin e drejtësisë se si ka funskionuar këto 20 vitet e pas luftës.
Rezultatet tregojnë se ka shumë për të dëshiruar në drejtësi, mirëpo me qeverisjes aktuale gjërat pritet të ndryshojnë.
Për të luftuar sistemin e drejtësisë, pra për të vendosur në binar duhet të ketë njerëz të guximshëm që mund të përballen me lloje të ndryshme të situatave.
Kjo sepse, nëpër institucione janë vendosur të dëgjueshmit dhe servilët e grupeve kriminale e të interesit, dhe tani numri i atyre njerëzve është i madh dhe do të jetë shumë e vështirë që të pastrohet rrënjësisht krimi i organizuar.
Kështu ka vlerësuar ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava.
Ai thotë se për një spastrim serioz e të thellë duhet një kohë e gjatë, sepse si kryes kryesor të këtyre veprave janë njerëzit eminent nëpër institucionet e shtetit, prandaj shton se, këto vepra për tu zbardhur ndonjëherë duhet të bëhen reforma të rëndësishme.
“Kësaj situate të zbardhjes mund t’i kontribuoj vetëm ligji i Vettingut që është në pritje të miratohet, dhe mbas miratimit të tij do të fillon edhe jetësimi i këtij ligji, ku priten që në të ardhmen e shpejtë do t’i jep rezultatet e pritura me një luftim serioz të krimit të organizuar”, thotë ai.
Sipas tij, kjo qasje do t’i ndihmoj edhe shtetit që të lëvizë më shpejtë drejtë BE-së.
“Deri me tani është menduar, por më shumë është manipuluar me atë se po luftohet krimi i organizuar, sepse me formacione të tilla, ata që ishin deri më tani në pushtet, nëpër institucionet e shtetit të instaluara pasluftës e deri më tani, assesi nuk ka mundur të luftohet krimi i organizuar, sepse nëpër të gjitha institucionet ishin njerëzit e emëruar nga ata që i bënin ligjet dhe e qeverisin shtetin ashtu si donin ata”, shprehet ai.
Ai shton se, qëllimi tyre ishte pasurimi, prandaj pohon se, këtu janë ato pengesat e mos luftimit të krimit të organizuar.
“Prandaj deri më tani u vazhdua të manipulohet nga gjyqësori i kapur prej nëntokës kriminale, dhe dërgohet drejtë devalvimit të plotë, në parashkrim një nga rastet emblemë të krimit dhe korrupsionit në Kosovë “Toka” dhe “Toka 2”që ka të bëjë me abuzimin e pasurisë publike, dallaveret në shitblerjen dhe privatizimin e tokave, hiq më pak se 36 hektar, me dokumente të falsifikuar, krim ky që ka goditur rëndë dy komunat në fqinjësi, Prishtinën dhe Graqanicën”, shprehet Tërnava.
Sipas tij, në kalendarin e Gjykatave janë dhjetëra raste serioze të lëndëve që kanë të bëjnë me gjykimin e grupeve kriminale për korrupsion, e që janë duke dështuar të mbahen për shkak të mungesave qoftë nga ana e prokurorëve, gjyqtarëve apo edhe të palëve të akuzuara.
“Prokurori i EULEX-it, kishte ngritur dy aktakuza, njëra e njohur tani si rasti “Toka”, në të cilën akuzohet Azem Syla dhe të tjerët, kurse në tjetrën akuzoheshin 24 persona, që njihej si rasti “Toka 2”. Mirëpo po kalojnë dekada dhe nuk kemi akoma epilog përfundimtar dhe aktgjykim ndëshkues të formës së për gjithë këtë abuzim dhe shpërdorim kriminal me pasurinë e shtetit nga grupet e mafies së nëntokës kriminale, në krye të së cilës ishte ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla, ish zyrtar i lartë i SHIK-ut dhe ish Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”, thotë Tërnava.