Lajme

Reagon Adem Salihaj: Kosova e ka bllokuar vetveten, partitë kanë harruar interesin kombëtar

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
5:39 / 26 October 2025

Ish-deputeti Adem Salihaj ka reaguar pas dështimit për formimin e Qeverisë Kurti 3, duke thënë se Kosova “është vetëbllokuar” dhe nuk pritet të dalë nga kjo situatë as pas muajsh zvarritjeje. Ai ka theksuar se në një moment kur Serbia po përballet me krizë të brendshme dhe izolim ndërkombëtar, partitë në Kosovë po paralizojnë jetën institucionale me inate e konflikte politike.

Sipas tij, gjeneratat e reja që dominojnë politikën nuk kanë treguar kulturë shtetformuese, ndërsa gjuha e urrejtjes e përplasjet në Kuvend kanë zëvendësuar debatin demokratik. “Kur e bllokon veten, nuk mund të të zhbllokojë askush,” ka theksuar Salihaj, duke shtuar se Kosova po përjeton momente të rënda me pasoja afatgjata.

Shkrimi i plotë:

Sot u dëshmua se Kosova përfundimisht është vetëbllokuar dhe nuk ka gjasa të dalë nga kjo situatë as pas gjashtë muajsh zvarritjeje. E gjithë kjo vjen në një kohë kur prej vitit 1999 deri më sot, Serbia asnjëherë nuk ka qenë në pozitë më të keqe në planin e brendshëm dhe të jashtëm. Në planin e brendshëm qe një kohë të gjatë po ballafaqohet me trazira dhe destabilitet. Në planin e jashtëm me kritika të ashpra, izolim dhe një rezolutë shumë të ashpër të Bashkimit Evropian kundër saj. Vuçiqi ka ardhur deri në atë situatë sa të injorohet dhe tallet në takimet ndërkombëtare. Pra, shikuar nga këndvështrimi ynë, asnjëherë nuk ka pasur një pozitë më të favorshme për Kosovën që ta krijojë epërsinë dhe ta bëjë një kundërofensivë vendimtare kundër Serbisë e ta kthejë situatën në favor tonin. Por, shih, mu në këto rrethana shumë të favorshme, partitë politike në Kosovë vendosin ta bllokojnë dhe paralizojnë jetën institucionale, duke bllokuar konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. U bënë gjashtë muaj dhe Kosova mbetet e bllokuar, me një paqartësi të madhe për ecje të mëtutjeshme. Inatet e partive politike janë aqë të mëdha, sa që i kanë harruar interesat nacionale. Rreziku nga Serbia nuk do të thotë asgjë për to, me rëndësi është ta mposhtin njëra-tjetren. Me gjithë këtë inat dhe urrejtje ndaj njëri tjetrit, Kosova nuk e ka asnjë të ardhme. Duke parë se Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja me shumë të panjohura, askush nuk e di se a do të dalë një rezultat zhbllokues. Fushata kryesore do të fokusohet jo, në programe dhe vlera, por në zhvlerësimin sa më të madh të njëri-tjetrit. Më duhet të them se fakti se partitë politike dhe institucionet tash dominohen nga gjeneratat e reja nuk është treguar si produktive, përkundrazi, gjuha e urrejtjes, mllefet dhe inatet kanë qenë dominuese në mandatet e fundit. Gjuha e përdorur në Kuvend ka qenë më tepër gjuhë rrugaçësh se sa gjuhë parlamentare. Fyerjet dhe sharjet me nënë e rob u bënë standard i ri i komunikimit të deputetëve, e cila eskaloi edhe me rrahje fizike. Pra, asnjëherë në historinë e pasluftës, Kosova nuk ka pasur deputetë me nivel më të ulët të kulturës shtetformuese dhe vetëdijes kombëtare. Pak ose fare nuk u interesojnë interesat kombëtare, të parat dhe të vetmet janë i teresat personale dhe klanore. A i ka futur thellë Serbia gishtat në partitë politike dhe në Kuvendin e Kosovës, apo kjo është pasojë e mungesës së idealeve dhe kulturës shtetformuese, këtë shpresoj se do ta shohim në të ardhmen, ndonëse nuk jam i sigurtë as për këtë. Por, jam i sigurtë se Kosova po përjeton momente të këqia, me pasoja të rënda.

Kur të bllokon dikush, vjen dikush tjetër dhe të zhbllokon, kur e bllokon veten, nuk mund të të zhbllokojë askush.

A i ka harruar kjo gjeneratë gjithë ato masakra, dhunime e shfarosje masive të popullatës sonë dhe nuk i intereson asgjë përveç pasurimit të tyre në formë të pandershme?

Për fat të keq, duket se po