Të premten që lamë pas, ministrat për Çështjet Evropiane të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë, në një deklaratë të përbashkët kanë mbështetur plotësisht dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja, si dhe kanë theksuar nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë të përparojnë në rrugët e tyre evropiane dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon.
“Ne bëjmë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën. Vendet tona janë të përkushtuara fuqishëm ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor; ne theksojmë rëndësinë e zbatimit të vendimit historik nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të krijuar një treg të përbashkët rajonal. Duke pasur parasysh rëndësinë që i kushtojmë rajonit, dhe si shenjë e mbështetjes sonë të përbashkët, ne kemi rënë dakord për një vizitë trepalëshe në këtë rajon dhe të përkrahim forcimin e mëtejshëm të lidhjeve midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, thuhet mes tjerash në deklaratën e përbashkët të tri vendeve perëndimorë.
Në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot” analisti dhe veprimtari Fatmir Bajraj, ka thënë se këto janë impulse të reja për liberalizimin e vizave.
Sipas tij, regjimi i vizave për qytetarët e Kosovës në dritën e ngjarjeve dhe zhvillimeve gjeopolitike & gjeostrategjike, duhet të hiqet në fund të tetorit apo n’ gjysmën e parë të nëntorit të këtij viti, dhe më së largu deri në Krishtlindje!
“Trekëndëshi i Vajmarit, siç quhet aleanca politike për integrimin e Evropës Lindore n ‘BE e vitit 1991 në mes të Gjermanisë, Francës dhe Polonisë, ditëve të fundit, siç rezulton nga deklarata e Ministrisë së jashtme të Gjermanisë, sikur ka shtuar intensitetin e angazhimit dhe interesimin për Ballkanin Perëndimor duke u fokusuar edhe në çështjen e Dialogut të Brukselit dhe veçanërisht kërkesës eksplicite për progres në liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Bajraj.
Ai ka theksuar se mohimi i të drejtës së lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës, akt kriminal dhe fashizëm bashkëkohor që do duhej të vriste ndërgjegjën e kontinentit të vjetër-Evropës!
“Një drejtë e mohuar qytetarëve të Kosovës, që nga 1 korriku i vitit 2018, data kur Komisioni Evropian konstatoj përmbushjen dhe realizimin e 95 kritereve teknike nga ana e Republikës së Kosovës, si kushte që do hapte rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës si të vetmit të izoluar dhe pa të drejtë të lëvizjes së lirë në kontinentin e vjetër, në Evropë, kontinent të cilit i takojnë edhe gjeografikisht Kosova dhe qytetarët e saj.
“Momentumi historik, si pasojë e agresionit të pa provokuar rus në Ukrainë, ka ndryshuar dhe ndërruar rendin botëror dhe përmes tij, edhe gjeopolitikën globale nga e cila Evropa, Ballkani Perëndimor dhe vetë Serbia e Kosova si pjesë e Ballkanit perëndimor, jo vetëm që s’janë imun ndaj këtyre zhvillimeve, por përkundrazi, i janë ekspozuar një tendence fashiste të Rusisë Putiniste që përmes aleatit të saj besnik, Serbisë hegjemoniste të Vuçiqit të shtrijë vatrën e konfliktit dhe destabilizimit të rajonit të Ballkanit perëndimor dhe përtej tij në gjithë Evropën.
Sfidat kontekstuale sikur kanë vetëdijesuar dhe ndërgjegjësuar aleancën e “Trekëndëshit të Vajmarit” në kuadër të BE-së, fakt ky që lexohet në dinamizimin e trajtimit të çështjeve të pa definuara në Gadishullin Ilirik , me theks të veçantë në atë të përmbylljes së Dialogut Kosovë-Serbisë në Bruksel, ku BE-ja është lehtësuese e këtij Dialogu, si prelud që qon drejt integrimit të rajonit drejtë BE-së, si e vetmja alternativë për 6 vendet e Ballkanit perëndimor dhe vetë BE-në”, është shprehur ai.
Bajraj ka shtuar se serioziteti i Gjermanisë dhe i Francës në këtë proces, shihet më së miri në faktin se të dyja vendet, piemonte të BE-së, kanë emëruar edhe emisar nacional në mbështetje të atyre të Brukselit: Borell & Lajçak për Dialogun, për një Marrëveshje përfundimtare-gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Mirëpo për analistin, thirrja për progres në liberalizimin e vizave, “karotë” për Kosovën !
“Është sinjifkative fakti, se si vendi i cili kishte ndikimin vendimtar në heqjen e regjimit të vizave të merituara për qytetarët e Kosovës, Franca, edhe pas ratifikimit në Parlament të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, tanimë bëhet njëra nga nismëtaret e trajtimit progresiv të kësaj teme të lënë n ‘sirtarët e Brukselit dhe në duart e Ministrave të Brendshëm të vendeve anëtare të Unionit Evropian dhe në “mëshirën” e tyre, meqë Kosova ka disa vite që ka plotësuar kushtet dhe kriteret, sikur askush tjetër nga anëtarët e rinj të pranuar në BE !
Nënë “ethet” gjeopolitike të zhvillimeve dramatike të luftës pushtuese të Rusisë në Ukrainë, dhe rrezikut permanent të “lojës me zjarrin” nga ana e Putinit në Ballkanin perëndimor, përmes satelitit të Rusisë, alias Serbisë së Vuçiqit, ritmi i ecjes para dhe dinamizimi i proceseve nga ana e Trekëndëshit të Vajmarit duke ringjallë procesin e Berlinit për Ballkanin perëndimor dhe vetë procesin e integrimit të rajonit në BE, dhe të cilit duhet ti paraprij Marrëveshja finale Kosovë-Serbi me njohje reciproke.