Lajme

Rilindja e fuqisë gjermane nën kancelarin Fridrich Merz

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
11:06 / 10 June 2025

NGA PROF. DR. ENVER BYTYÇI

Prej të mekurës së shkuar Fridrich Merz mbetet lideri politik më i spikatur kontinentit Evropian. Natyrisht që kjo që them ka kuptim figurativ. Por në thelb ka një të vërtetë të padiskutueshme. Me katër qershor kancelari i RF të Gjermanisë dëshmoi lidership të paimagjinueshëm në takimin e tij me presidentin e vështirë të SHBA-ve, Donald Trump. Ai është i pari lider politik europian që pritet në Shtëpinë e Bardhë me autoritetin e një udhëheqësi të pakontestueshëm. Donald Trump u detyrua ta pranojë liderin gjerman ashtu siç është, edhe në papajtueshmëri me disa objeksione të politikës së sotme amerikane, sidomos lidhur me luftën Rusi-Ukrainë. Në zyrën ovale Merz u paraqit me dy simbole, çertifikatën e lindjes së gjyshit të Trump në Gjermani, si dhe një shkop e top besjbolli. Ishte ky gjest diplomatik, si dhe maturia e tij, faktorët që e bënë presidentin amerikan të shprehë respekt të veçantë për liderin gjermano-europian.

Shumë tema u biseduan midis dy bashkëbiseduesve në Uashington. Por më e rëndësishmja ishin ngjarjet që po ndodhin në Ukrainë. Fridrich Merz i bëri me dije kreut të Shtëpisë së Bardhë se “Rusia është agresori dhe duhet ndëshkuar në këtë luftë”! Se ndaj Rusisë duhet qëndrim i rreptë! Se Ukraina duhet ndihëmuar që ta fitojë luftën dhe kjo nuk ka alternativë. Dhe Donald Trump u detyrua ose të heshtë, ose ta pranojë këshillën e Fridrich Merz. Ndoshta presidenti amerikan ka kuptuar se Vladimir Putin thjesht luan lojën e tij, duke përfituar nga kërkesa e Trump për armëpushim dhe paqe në Ukrainë. Ka kuptuar faktin se presidenti i Rusisë po fiton kohë në këtë kurbë të diskutimeve për bisedime paqësore.

Por e vërtetë është që kancelari i Gjermanisë solli në zyrën ovale plot fakte dhe argumente për të provuar natyrën agresive të presidentit rus. Dhe në njëfarë mënyre e bindi atë se NATO duhet forcuar, se mbrojtja e Evropës është kushti i fitores në Ukrainë. Fridrich Merz shkoi në Uashington jo vetëm me kërkesa për partnerin më të rëndësishëm të vendit e të kontinentit të tij. Ai parashtroi gjithashtu objektivat e forcimit ushtarak të Gjermanisë dhe të Europës. E garantoi presidentin Trump se rritja e shpenzimeve ushtarake është mënyra e duhur për ta përballuar garesivitetin e presidentit rus, Vladimir Putin. Dhe kësisoj kancelari gjerman shkoi në Uashington me propozime konkrete për të marrë përsipër rolin vendimtar të Evropës dhe Gjermanisë për mbrojtjen e kontinentit.

Vizita e Fridrich Merz në SHBA, si dhe takimi e biseda e tij e gjatë me presidentin Trump ndodhën në një moment kyç të luftës në Ukrainë. Kur forcat e sigurisë së Ukrainës shkatërruan në thellësi të territorit rus dhjetëra avionë luftarakë të flotës ajrore të Rusisë. Kur sulmet ruse si hakmarrje kundër Ukrainës kanë marrë përmasa të reja. Prandaj dhe kjo vizitë shkaktoi nervozizëm në Kremlin, deri me kërcënime kundër Gjermanisë, ndonëse pa e përmendur suksesin e vizitës në fjalë.

Pas kësaj vizite të kancelarit Merz në Shtëpinë e Bardhë Amerikane, Gjermania ka marrë një rol të ri lidershipi në Europë, rol të cilin në vakuumin e krijuar nga zgjedhjet gjermane tentoi ta marrë Emmanuel Macron. Sigurisht që aleanca evropiane do të ekzistojë, do të forcohet, do të shkojë përpara, por jo më bazuar në pretendimet e Macron për lidership europian, duke shfrytëzuar potencialin bërthamor të Francës. Gjermania, me rritjen e shumëfishtë të buxhetit për mbrojtje dhe përgatitjen ushtarake shumë shpejt (parashikohet në tri vite) do të bëhet superfuqi ushtarake e pathyeshme. Kjo është gjithashtu garanci për sigurinë e Europës.

Dhe është interesant fakti që Gjermania nga një agresor në kohën e Luftës së Dytë Botërore, sot pas 80 vitesh është vënë në pararojë të mbrojtjes së Europës. Ky lloj transformimi nuk mund të mendohej aq lehtë. Zgjedhja e Friedrich Merz kancelar i ka ndryshuar ekuilibrat dhe ka shtuar shpresën se me vendosmërinë e saj, Gjermania do ta detyrojë presidentin e Rusisë të kapitullojë. Suksesi i vizitës së tij në Uashington e dëshmon diçka të tillë. Sigurisht që ky zhvillim shumë pozitiv në marrëdhëniet SHBA-Gjermani është i rëndësishëm edhe për Shqipërinë, Kosovën dhe mbarë hapësirën shqiptare në Ballkan. Sa më shumë forcohet Gjermania, aq më shumë rritet roli i saj në Europë e në botë. Sa më i madh të jetë ky rol, aq më i sigurt bëhet rajoni ynë. Që do të thotë se nuk ka më shanse për ndonjë aventurë serbe kundër Kosovës.