Lajme

Rrëfimi i Isni Berishës, ushtarit që e pa rënien e Agim Ramadanit 23 vjet më parë

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
8:01 / 11 April 2022

23 vjet më parë një nga komandantët më të shquar të UÇK-së, Agim Ramadani, u flijua në Koshare në luftë kundër ushtrisë serbe.

Isni Berisha ishte bashkëluftëtar i Agim Ramadanit me të cilin ishte në front edhe ditën e rënies së heroit Agim Ramadani.

Berisha thotë se ai bashkë me disa të tjerë kishin arritur te Rrasa e Koshares, tri ditë para se të vinte Agim Ramadani.

“Erdhi Agimi me një skuadër dhe kërkoi nga komandanti ynë që t’i bashkohemi edhe 5 luftëtarë. Ne ju bashkëngjitëm Agimit pa na kërkuar fare eprori ynë që e kishim deri në ato momente. Agimi kishte një njësi me vete dhe së bashku vazhduam rrugën. Është interesante se kur arritëm te përroi, Agimi na pyeti nëse kemi ngrënë bukë. Pra në atë situatë në pyeti për bukë. Dikush tha po, e dikush jo. Na pyeti nëse kemi me vete bukë, dikush kishim e dikush jo. Ai ka nxjerrë një bukë nga çanta dhe me dorë na ka ndarë çdonjërit nga pak. Pasi kemi ngrënë kemi vazhduar në të majtë”, rrëfen Berisha momentet e para të njohjes me Agim Ramadanin.

Ish-ushtari i UÇK-së thotë se pasi hasën serbët grupi që udhëhiqte Agim Ramadani është ndarë në dy grupe më të vogla.

“Kur kemi arritur te pishat e vogla, Agimi ka vërejtur lëvizjet e serbëve. Në atë moment ai ka urdhëruar dy ushtarë që të hipin në pisha dhe të vëzhgojnë situatën poshtë. Agimi është konsultuar me Komandant Kobrën dhe më pas ushtarët jemi ndarë në dysh. Njëri grup ka shkuar me Kobrën dhe tjetri kemi vazhduar me të”, shtoi tutje Berisha në RTV Dukagjini.

Ai thotë se për shkak të borës së madhe nuk ka pasur mundësi të hapen llogore.

“Jemi pozicionuar si kemi mundur pranë disa pishave, pasi nuk ka pasur mundësi për të hapur istikame pasi ishte borë e madhe. Luftimet tashmë kishin filluar”.

Isni Berisha thotë se Agimi ra në front duke u kujdesur për një ushtar.

“Agimi ishte strateg i madh. Nuk kam njohur më të mirë se ai. Agimi na ka pozicionuar sipas mundësive që kishte. Një ushtar ka menduar se nuk ka qenë i pozicionuar mirë dhe ka lëvizur pozicion. Në atë moment ai është gjuajtur nga serbët dhe ka rënë në borë. Komandanti (Agimi) është ngritur në këmbë për të parë a e ka kapur plumbi ushtarin. Ushtarin nuk e kishte kapur plumbi, por në atë moment Agimin e kapi plumbi në bark dhe ra në tokë pa pasur ndonjë bisedë apo komunikim me ne. Luftimet kanë vazhduar me më shumë intensitet dhe tek në mbrëmje e kemi tërhequr trupin e komandantit”.

Ai thotë se gjysma e ushtarëve nuk e kanë kuptuar deri vonë për rënien e Agim Ramadanit, derisa thotë se pos komandantit ai njësit nuk kishte pasur asnjë humbje njerëzore.