Lajme

Sa të rëndësishme janë zgjedhjet e 28 dhjetorit në rrethanat e trazuara gjeopolitike për Republikën e Dardanisë?

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
10:14 / 25 November 2025

NGA: HAFIZ SHALA

Edi Rama dhe Hashim Thaçi,dy aleatët më të afërt të Vuqiçit. Sa i përket miqësisë me Serbinë, absolutisht askush nuk ua kalon. Përndryshe, kur janë në pyetje këto dy shtete, këta jo vetëm që i kanë nxjerrë në pazar disa pjesë të tyre, por edhe kanë falur territore. Të dy kanë punuar në favor të Serbisë duke u dakorduar gjoja rreth “korrigjimit-ndarjes” sipas planeve famkeqe të tresheve: Vuçiç–Thaçi–Rama, në dëm të Dardanisë. Po ashtu edhe për formimin e një mini-shteti të quajtur Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe me ingerenca ekzekutive, i cili, edhe pas disa vendimeve, ende nuk është kurorëzuar për faj të Serbisë, e cila gojarisht deklarohet pro, por kurrë nuk ka nënshkruar.

Vazhdimësi e këtyre lojërave të rrezikshme ishte edhe formimi i “Ballkanit të Hapur”, një lloj “Bote serbe”, duke e favorizuar Serbinë për ta marrë primatin në Ballkan dhe për t’i hapur korridor daljeje në detin Adriatik, gjë që do t’ia mundësonte të njëjtën gjë edhe Rusisë, e cila do ta shtrinte ndikimin rus në Ballkan dhe në Evropë.

Shpresa e vetme mbeten SHBA-të, pa të cilat as Evropa nuk mund të ekzistojë në aspektin e sigurisë. Kjo u pa tani gjatë planit me 28 pika si kusht për ndërprerjen e luftës Rusi-Ukrainë, ku kjo e fundit duket se do t’i humbë disa pjesë të territoreve të okupuara nga Rusia e despotit Vladimir Putin, i cili ka apetitet ta okupojë fillimisht Evropën Lindore e më vonë edhe të tërën. Evropa pa Amerikën është një tigër prej kartoni dhe asgjë tjetër. Evropa, si pjesë e NATO-s dhe e udhëhequr nga Amerika, me dorë në zemër, e ka shfrytëzuar dhe keqpërdorur këtë të fundit duke mos i kryer obligimet rreth pagesës së të paktën 2% të GDP-së për ta mbajtur NATO-n të fuqishme. Këtë boshllëk financiar e ka kompensuar Amerika.

Tani, kur Evropa e ka vërejtur se edhe ajo është e rrezikuar nga Rusia dhe praktikisht nuk ka fuqi ushtarake t’i kundërvihet, është në panik. Sipas disa pikave të këtij projekti të propozuar nga SHBA-të, Ukraina duhet të heqë dorë nga disa pjesë të okupuara nga Rusia, dhe ajo që është edhe më e rrezikshmja ka të bëjë me garancitë që po i ofrohen. Praktikisht sikur herën e parë, kur gabimi më i madh që bëri ishte dorëzimi i armëve bërthamore Rusisë. Tani, përveç kufizimit të fuqisë ushtarake në 600.000 ushtarë — ndërsa Ukraina kërkon 800.000 — parashihet edhe mosanëtarësimi në NATO, si dhe sjellja e forcave të NATO-s në kufirin Ukrainë–Rusi, që do të thotë zvogëlim i sovranitetit të plotë. Sa do të qëndrojnë këto forca dhe a do të jenë në gjendje të mbajnë paqen e sigurinë mes këtyre dy shteteve, është një pikëpyetje e madhe.

Një mik i imi për një lloj dorëzanllëku të tillë thoshte: “I keni lidhur dy buaj me pe.” Si mund t’i mbajë peni buajt të lidhur? Deri tani, kështu qëndrojnë hesapet. Mund të mos ndodhë, ose nëse ndodh, duhet pritur verdikti përfundimtar.

Ajo që më brengos është se një zhvillim i tillë i këtyre ngjarjeve gjeopolitike mund t’i shkojë kujt ndër mend që, për të arritur një “paqë përfundimtare” me Serbinë, të shtyhet drejt një skenari të ngjashëm. Djalli, thonë, kurrë nuk fle — dhe “djalli” në këtë rajon është Serbia.

Për ta siguruar që eventualisht të mos vijë deri te ndonjë befasi, është jashtëzakonisht e rëndësishme që në zgjedhjet e 28 dhjetorit, në krye të shtetit dhe të qeverisë të vijnë njerëz të pastër, të ditur, të guximshëm e të vendosur në mbrojtjen e sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të demokracisë së Republikës së Dardanisë. Në këtë rast, askush nuk mund t’ia kalojë zonjës Presidente Vjosa Osmani dhe Kryeministrit në detyrë, z. Albin Kurti. Të dy, në mandatin e parë, i kanë dëshmuar këto veti.