Deputeti i LDK-së thotë se qëllimi i Kurtit mund të jetë dërgimi i vendit në zgjedhje ose koalicion me PDK-në.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti lidhur me zgjedhjen e presidentit të vendit.
Sadiku tha se nga deklarimet e fundit të Kurtit pas takimit me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, duket se kryeministri nuk është i interesuar për zgjedhjen e presidentit në bashkëpunim me LDK-në.
Kurti deklaroi se “vetëm një shumicë prej 84–85 deputetësh do të na bënte komod për zgjedhjen e presidentit” dhe se “numri 80–81 nuk është caku ynë për të ecur përpara”.
Sipas Sadikut, një qëndrim i tillë nënkupton se kryeministri po e përjashton LDK-në nga kombinimet për zgjedhjen e presidentit.
“Sipas kësaj logjike, tentativa e tij duket të jetë ose ta çojë vendin në zgjedhje, ose të hyjë në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës”, ka thënë Sadiku.