Dardan Sejdiu, analist, ka shkruar një shkrim, ku ka komentuar fjalimet e Albin Kurtit, kryeministër në detyrë, dhe Artane Rizvanollit, ministre e Ekonomisë.
Ai ka pasur kritika, duke ofruar edhe një analizë.
Për më shumë, lexojeni shkrimin e mëposhtëm të Sejdiut.
Shkrimi i plotë:
Në Davos, dyshja Kurti – Rizvanolli po flasin për “rritje”, “stabilitet” dhe “rekorde” në ekonomi e zhvillim. Po një vend nuk matet me fjalë, matet me numra që s’ki qysh i maskon e as ku i ikë edhe nëse je në Davosin e miliarderave e 1650 km larg!
Qe 5 numra që ishin dashtë me shpu propagandën pa zhurmë:
1. Gropa tregtare: Në vitin 2025, importet na shkuan rreth 7.0 miliardë euro. Kjo është fotoja e një ekonomie që blen, jo që prodhon. Nga ana tjetër, eksporti mezi e prek “nën një miliard”. Rezultati? Deficiti tregtar i vitit 2025 del mbi 6 miliardë euro! Kjo është ajo gropa e madhe ku humbin pagat, investimet e vendet e punës. Nuk është “statistikë”, është rrjedhje e përditshme e parave jashtë.
2. Paraliza sociale: Sipas GAP, nga rreth 1.1 milion persona në moshë pune, rreth 613 mijë konsiderohen ekonomikisht joaktivë. Prej tyre, 402,847 janë gra (66%). 78 mijë të rinj janë NEET (as në punë, as në shkollë, as në trajnim). Ky është alarm, jo statistikë e thatë! Kur gjysma e fuqisë së vendit rri jashtë tregut, “mungesa e punëtorëve” nuk është mister, është pasojë.
3. Kosova e “infuzionit”: Në qershor 2025, skema e asistencës sociale i kishte 16,759 familje (65,026 anëtarë). Por, skema e subvencionimit të rrymës përfshin afër 90,000 familje – pra afër 350,000 qytetarë që përkrahen me u nxe dimrit. 350,000 duhet me i përkrah me nxemje, 65,000 me bukë. Këtu e sheh Kosovën reale, jo Kosovën e konferencave.
4. Falimentimi i dijes: Arsimi i hershëm mbetet i ulët, vetëm 36.8% e fëmijëve 3–5 vjeç janë të regjistruar në parashkollor. Kur s’e nis herët, ma vonë e paguan me mungesë shkathtësish. Në PISA 2022: 85% s’e arrijnë nivelin bazë në lexim, 83% në matematikë, 79% në shkencë. Shumica e 15-vjeçarëve kanë vështirësi me leximin bazë dhe detyra të thjeshta logjike. Pa këto, s’ka produktivitet as ekonomi moderne.
5. Çmimi i jetës: Sipas IKSHPK, rreth 1,150 vdekje në vit i atribuohen cilësisë së keqe të ajrit. Kjo është kosto njerëzore, jo vetëm mjedisore. Dhe mbi këtë, nga 1 maji 2025, faturat e rrymës u rritën mesatarisht për 16%. Tregu i energjisë për biznese po funksionon si treg i detyrueshëm pa konkurrencë: çmimet raportohet se janë trefishuar. Prodhuesit vendorë e humbën garën me importin, e konsumatori e paguan përmes çmimeve më të larta.
Këta numra lidhen për ata që s’janë tifoz. Deficiti tregtar e tregon varësinë e Kosovës. Joaktiviteti e tregon ngujimin shoqnor. Asistenca sociale e tregon presionin mbi familjet. Arsimi i hershëm dhe PISA e tregojnë pse kjo vazhdon. Ajri i keq e tregon çmimin në shëndet. Rryma e shtrenjtë e tregon sa e brishtë është jeta e përditshme kur sistemi nuk prodhon siguri.
Në frymën e slloganit të Davos-it, ‘A Spirit of Dialogue’, është koha e fundit që kjo parti në pushtet të nisë një dialog të vërtetë me realitetin! Është koha me folë troç se si po dalim prej këtij qorrsokaku ku propaganda e qeverisë fluturon në qiell, e jetesa e qytetarit ka ra në gropë. Mjaft me monologje e video të montuara propagandistike! Neve na duhet dialog për me shpëtu prej këtij lloqi ku suksesi jeton veç në Facebook, e mbijetesa është e vetmja punë e vërtetë në Kosovë.