Sekretari amerikan i Shtetit falënderon Presidenten dhe popullin e Kosovës për përkushtimin ndaj stabilitetit dhe kontributin në nismat ndërkombëtare të sigurisë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka reaguar pas takimit me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke vlerësuar lart rolin e Kosovës në promovimin e paqes dhe stabilitetit.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rubio bëri të ditur se e ka falënderuar Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për përkushtimin e tyre të vazhdueshëm ndaj paqes, duke theksuar angazhimin e vendit si anëtare themeluese e Bordit të Paqes.
“U takova me Presidenten Vjosa Osmani dhe e falënderova atë dhe popullin e Kosovës për përkushtimin e tyre ndaj paqes dhe stabilitetit, duke qenë anëtare themeluese e Bordit të Paqes,” ka shkruar Rubio.
Ai po ashtu ka shprehur mirënjohje për kontributin e Presidentes Osmani në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza, duke vlerësuar përfshirjen e Kosovës në nismat ndërkombëtare që synojnë forcimin e sigurisë dhe stabilitetit global.