Lajme

Selmanaj: Kurti veproi si Abazoviçi – skenari i Kishës Ortodokse Serbe në Malin e Zi e pret edhe Kosovën

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
3:13 / 1 March 2023

Propozimi evropian që fillimisht u prezantua si “plan fillestar”, pastaj si dokument i modelit “merre ose lëre”, tani ka marrë konturat e një Marrëveshjeje Ndërkombëtare duke u ripagëzuar “Marrëveshja për rrugën e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Por, në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parashihet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, por kosovarëve përveç themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, iu kërkohet që së bashku me serbët ta formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, përmes llogarisë së tij në Facebook, ka shprehur shqetësimin e tij me atë që parashihet në paragrafin 2 të nenit 7 të Marrëveshjes së rënë dakord mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vucic.

“Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”, thuhët në këtë nen.

Selmanaj ka kërkuar llogari nga ekzekutivi kosovar të dal me një shpjegim se për çfarë zyrtarizimi apo për çfarë statusi të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë bëhet fjalë, ndërsa ka shtuar se atë çka e bëri kryeministri malazez Dritan Abazoviç, do ta bëj edhe kryeministri Kurti.

“Me shumë gjasë skenari i Kishës Ortodokse të Serbisë i cili u firmos me Malin e Zi përmes Dritan Abazoviç-it, do të aplikohet edhe në Kosovë përmes Albin Kurtit”, ka shkruar ai në Facebook.

Marrëveshja Themeltare ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe ishte nënshkruar në Podgoricë gushtin e vitit të kaluar, përkatësisht nga kryeministri Abazoviç dhe Patriarku i KOS-it Porfirije.

Marrëveshja Themeltare për marrëdhëniet ndërmjet shtetit të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe përmban kryesisht obligimet e shtetit dhe institucioneve ndaj kësaj bashkësie fetare.

Asaj i mundësohet ekstraterritorialiteti i objekteve fetare, mundësia e mësimit fetar në shkollat publike, i njihet subjektiviteti për gjashtë shekuj më të gjatë se sa që Kisha Ortodokse Serbe ka në Serbi, i jep asaj kompetenca publiko-juridike dhe në disa fusha ia mundëson statusin ligjor të barabartë me institucionet shtetërore.

Kujtojmë se Patriarku serb Porfirije në muajin tetor është fronëzuar në Patriarkanën e Pejës, ku në fjalimin e tij iu bëri thirrje “vëllezërve shqiptarë” dhe popullit serb që të luten për paqe, mirëpo, është fokusuar prej kohësh në promovimin dhe zbatimin e ideologjisë nacionaliste të “Serbisë së Madhe” në aktivitetet e saj publike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com