Politologu, Shkëlzen Maliqi ka folur për takimin e nesërm të ftuar nga ambasada e ShBA-së për Asociacionin, si dhe qëndrimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për këtë çështje.
Ai ka thënë se situata aktuale është e palakmueshme për Kurtin, por dhe për Kosovën.
“E ka vetë fajin për këtë, sepse prej kohës po përpiqet që të zhvillojë politikë “sovraniste” duke ndërmarrë me këmbëngulje masa politike që kanë prodhuar kriza të njëpasnjëshme gjatë vitit 2022, të gjitha këto pa koordinim me SHBA-të dhe partnerët perëndimorë, madje edhe duke refuzuar hapur kërkesat e Uashingtonit që t’i ipet kohë diplomacisë perëndimore që të përgatiten kushtet e arritjes së një marrëveshje të avancuar mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Kurti ka shfaqur tërë kohën idetë e veta për procesin, dhe i bindej SHBA-ve, dhe këtë jo plotësisht, vetëm kur politikat e t’ia dështonin ose e sjellnin gjendjen buzë konflikteve të armatosura në Veri të Kosovës. Uashingtoni nuk është më i gatshëm që të tolerojë obstruksionet e Kryeminstrit Kurti, dhe neser i ka ftuar në ambasadën amerikane të gjithë ata faktorët politikë dhe të shoqërisë civile që janë të gatshëm të bisedojnë rreth përmbushjes së një obligimi ndërkombëtarë që e ka Qeveria e Kosovës, rreth krijimit të Asociacionit”, ka thënë Maliqi për IndexOnline.
Maliqi shtoi se administrata Biden ka treguar mjaft durim siç e quan ai, arrogancën e Kurtit, dhe pasi që çështja e marrëveshjes Kosovë- Serbi, është më rëndësi për stabilizimin e rajonit, ShBA, sipas tij, e ka vlerësuar si të domosdoshme konsultat me krejt spektrin politik të Kosovës, dhe ai do të mbahet edhe pa Kurtin.
“Edhe Presidentja Osmani ka vendos me e dërgua dikën të kabinetit të saj në takim, kurse Kurti doli vetëm më një konstatim, me pikëçuditëse, se as nuk është ftuar për këtë bisedë. Mendoj se Kurti bën gabim trashanik. Ndërmjetësuesi ameriknë Derek Chollet e ka publikuar dje një shkrim autorial rreth Asociacionit, ku tregon qartë se kompetencat dhe funksionet e asociacionit që nuk rrezikojnë Republikën e Kosovës. Në te shprehet se “kundërshton ashpër çfaredo përpjekje që Asociacioni t’i përngjajë Republika Srpska”, që Kryeministri Kurti e ka përmendur gjithnjë si argumentet kundër pse nuk duhet të ketë Asociacionin. Takimi i nesërm do të jetë besoj sqarimin për politikat në esencë autiste të Kurtit. Pas këtij takimi ai do ta ketë shansin e fundit që të kyçet në proces dhe kontribuuon për arritjen e marrëveshjes me Serbinë, që edhe vetë ka thënë se avancon pozitën e Kosovës. Nëse nuk e bën këtë, nuk do t’i kemi punët mirë”, ka theksuar ai.