Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se zgjedhjet në veri, të cilat ishin caktuar për më 18 dhjetor, janë shtyrë për në prill të vitit 2023.
Këtë ajo e ka deklaruar gjatë një takimi me përfaqësues të partive politike.
Osmani tha se për këtë vendim ka pajtueshmëri të përsosur mes partive politike dhe se është shqyrtuar raporti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili dje është dorëzuar në Kryesi.
“Në mënyrë që të sigurojmë pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në këto zgjedhje, vëzhgim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe kohë të mjaftueshme për institucionet e sigurisë që të bëjnë edhe përpjekje e të ndërmarrin veprime shtesë për rend dhe ligj në veri në vendit, vlerësoj që shtyrja është e nevojshme”, tha Osmani gjatë një konferencë për media.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, pas takimit deklaroi se partia e saj ka pranuar shtyrjen e zgjedhjeve pasi “nuk mund të hyjë e vetme në zgjedhje në veri”.
Megjithatë, ajo fajësoi qeverinë e Kosovës duke thënë “kishte dështuar në krijimin e rrethanave për zhvillimin e zgjedhjeve në vend”.
“Kërkojmë nga Qeveria, nga Policia e Kosovës, nga kryeministri, që gjendjen në veri ta trajtojnë seriozisht. Shumë pak mund të ndryshojë gjendja në terren atje nëse qasja e institucioneve të Republikës së Kosovës nuk ndryshon”, ka thka thënë Çitaku.
I zëshëm në reagimin e tij ka qenë edhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, lidhur me situatën në veri të Kosovës, duke thënë se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri, Albin Kurti po e dorëzojnë shtetin tani.
Limaj përmes një shkrimi ka thënë se Osmani dhe Kurti u futën në aventura politike duke e sfiduar shtetin.
“Vjosa dhe Albini u futën në aventura politike duke sfiduar shtetin, e tani po e dorëzojnë atë. Ky është rezultati i politikave aventuristë e popullsitë. “Kur bie në gjumë me fëmijë, në mëngjes zgjohesh i lagur”. ( proverb e njohur nga populli ynë)”, ka shkruar ai.
Ndërsa avokati i njohur Albert Krasniqi tha se shtyrja e zgjedhjeve në veri është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, pasi pavarësisht miratimit që mori nga partitë politike, presidentes i mungon autoriteti për të shtyrë zgjedhjet e shpallura me vendim në dritën e ligjeve ekzistuese.
Ai ka thënë se Presidentja është dashur të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme të këto katër komuna.
“Shpallja e zgjedhjeve në katër komunat në veri të vendit ka qenë gabim qysh në fillim!Përtej pamundësisë për të ofruar siguri për akterët në zgjedhje, kontestuese do të ishte edhe legjitimiteti i institucioneve të dala nga një proces i tillë zgjedhor. Përgjatë kësaj kohe, Presidenca dhe Qeveria u sollën sikur gjoja mbajtja e zgjedhjeve në veri është një proces i thjeshtë teknik me të cilin duhet të merret KQZ-ja. Shtyrja e zgjedhjeve është veprim i arsyeshëm, por që shpërfaqë naivitet dhe dobësi të institucioneve. E para, pasi nuk ishin të aftë të vlerësojnë drejtë situatën në teren; dhe e dyta, pasi nuk qenë në gjendje t’i qëndrojnë prapa vendimit të tyre.
Përkundër këtyre, shtyrja e datë së zgjedhjeve të shpallura, nuk është as në harmoni me Kushtetutën. Presidentja nuk ka kompetencë të shtyjë zgjedhjet e shpallura me një vendim, pavarësisht pëlqimit që ka marrë nga partitë politike. Për të qenë në harmoni me Kushtetutën, më së lehti ka qenë që Presidentja të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme të këto katër komuna, pasi ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike; dhe pastaj të merret pëlqimi i Kuvendit me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë; ose të krijohet një bazë e përkohshme ligjore që mundëson shtyrjen e zgjedhjeve. Në këtë vend ka ligje dhe institucione të cilat duhet të respektohen pavarësisht situatës. Kështu krijohen precedent të rrezikshëm që mund të abuzohet në të ardhmen.”, tha ai.
Aktivist i PSD-së, Frashër Krasniqi, lidhur me vendimin e shtyrjes së zgjedhjeve në veri të vendit, ka shfrytëzuar momentin që të “tallet” me me kreun e ekzekutivit duke u përdorur disa shprehje të kryeministrit Kurti.
Ai në faqen e tij në “Facebook” ka kërkuar që kryeministri Albin Kurti të largohet pas shtyrjes se zgjedhjeve.
“Veliu, veliu, sovlaniteti, sovlaniteti… tap zgjedhjet n’prill! Albin Kurti duhet të jap dorëheqje e përgjegjësi! Sepse dhjetëra mijëra qytetarë, serbë e shqiptarë, u terrorizuan tash e 1 javë nga filmat e tij. Sepse një polic e kemi ende në spital nga plagët prej filmave të tij”, tha Krasniqi.
E njohësi i çështjeve politike, Petrit Zogaj, vendimin e sotëm e quajti “puro populistë dhe të papërgjegjshëm”.
“Zgjedhjet nuk ishin shpallur që qytetarët në katër komuna të votonin udhëheqjen komunale, por për të na thënë neve që “ja me neve s’ka kompromis.” Vendimi për ato zgjedhje ishte puro popullsitë dhe i papërgjegjshëm. Tash, masi e panë që s’kanë kurrfarë kontrolli në këto katër komuna, kur e panë që situata mundet me u përkeqësu, kur e panë që këta popullsitë munden me dale keq nga kjo situate, thojnë që po i shtyjmë zgjedhjet”, ka shkruar Zogaj.
Duke përdorur zhargonin sportiv, publicisti Adriatik Kelmendi ka llogaritur se Kosova dhe Serbia tashmë janë në një situatë të barabartë.
Menaxhimi i çështjes së targave ilegale të Serbisë dhe (mos)organizimi i zgjedhjeve të komunave në veri, janë autogolat e Kosovës në raport me Serbinë sipas Kelmendit.
“Meqë jemi te futbolli, në zhargonin sportiv i bjen Kosova 2:2 Serbia. Gol i Kosovës ndalimi i referendumit të Serbisë. Gol i Kosovës ndalimi i zgjedhjeve të Serbisë. Autogol i Kosovës menaxhimi i çështjes së targave ilegale të Serbisë. Autogol i Kosovës (mos)organizimi i zgjedhjeve të komunave në veri. A po i del 2 me 2?!”, tha ai.