Lajme

Si dhe pse u fshi e vërteta për investimin 3.8 milionësh për asfaltimin e rrugës në Mokën të Istogut, flet zv.ministri Hysen Durmishi: Është investim 100% i Ministrisë

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
3:35 / 14 December 2023

Kryetari i Komunës së Istogut ka tentuar t’i merr meritat për asfaltimin e rrugës për në Mokën, duke mos përmendur se ajo 100 % është financuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).

“Filluam me asfaltimin e rrugës për në Mokën. Përfundimi i kësaj rruge prej 7.3 km është hapi i parë e shumë i rëndësishëm drejt angazhimit tonë për ta shndërruar Moknën tonë të bukur në atraksion turistik për turistët vendas e të huaj”, shkruan Ferati në rrjetin social Facebook.

Përveç fjalëve të shkruara, kryetari i Istogut është kujdesur që për këtë projekt që nuk është i tij, të sjell edhe pamje të realizuar me dron.

Ai shihet në VIDEO duke shikuar punimet dhe duke lënë përshtypjen e angazhimit në këtë projekt.

E ndaj kësaj paraqitje si kundërpërgjigje ka reaguar dje në rrjetin social me ironi zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Hysen Durmishi, i cili e “falënderoi” kryetarin e Istogut për promovimin e këtij investimi që është 100 për qind i Ministrisë, por që nuk përmendet askund prej tij.

E për çudi sqarimi që dha mbrëmë Durmishi është fshirë nga rrjeti social, pasi që duket se është raportuar për të fshehur të vërtetën.

I kontaktuar nga KosovaNews, zëvendësministri Hysen Durmishi tha se dikujt i ka penguar e vërteta që shpalosi mbrëmë dhe me gjasë është raportuar në rrjetin social me synimin që të fshihet e mos të kuptohet në publik.

“Po unë e dhashë një sqarim dje, sepse po ka shumë komuna që po bëjnë propagandë e ankohen për mungesë të mbështetjes së projekteve nga Qeveria. Kjo është e pa vërtetë. Disa nga komunat sikur edhe ky rast për rrugën në Mokën po mundohet të paraqiten si punë komunale, por janë projekte e investime 100% nga Ministria jonë”, tha Durmishi.

Ai bëri të dikur se projekti për asfaltimin e rrugës në Mokën të Istogut ka një kosto prej 3.8 milionë euro dhe se është i ndarë në dy lote, që tashmë njëri ka përfunduar e së shpejti kryhet edhe pjesa tjetër.

Pse LDK-në po e pengon e vërteta për investimin 3.8 milionësh për asfaltimin e rrugës në Mokën të Istogut

Në këtë rast, Durmishi pohoi se nuk është vetëm Istogu rasti i vetëm që veprohet në këtë mënyrë, duke u munduar të fshihet puna e investimet që po bëhen nga Qeveria e Kosovës.

“Ne kemi memorandume bashkëpunimi thuajse me të gjitha komunat dhe janë kryer e po vazhdojnë të kryhen projekte të shumta. Po ashtu ka edhe projekte të reja që janë të buxhetuara dhe do të nisin edhe në vitin e ardhshëm. Por në shumicën e komunave drejtuesit e tyre shkojnë e bëjnë promovime pa praninë tonë, nuk na ftojnë dhe punën e ministrisë e paraqesin si të tyre. Kjo është e padrejtë, sepse vetë kemi nënshkruar bashkëpunimet, duke përjashtuar këtu vetëm komunen Fushë-Kosovën drejtuesit e të cilës kurrë dhe asnjëherë asgjë nuk kanë paraqitur para Ministrisë”, tha Durmishi.

Për çështjen e asfaltimit të rrugës për në Mokën të Istogut dhe polemikave e sqarimit se investimet po bëhen nga Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), dje kanë shkruar edhe disa nga mediat vendore.

Por çuditërisht lajmi për të vërtetën e kësaj çështje është fshirë edhe nga ueb-faqet e tyre dhe tashmë nuk hapen.