Publicisti Nexhmedin Spahiu, ka deklaruar se protestat që po zhvillohen në tri komunat veriore të Kosovës janë për shkak të vendosjes së flamurit të Kosovës në objektet komunale. Sipas tij, nëse hiqen flamujt shtetëror nga këto komuna, nuk do të ketë më Kosovë.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Spahiu ka thënë se me heqjen e këtyre flamujve, Kosova heq dorë nga veriu, e edhe nga Prishtina zyrtare.
“Ajo që nuk guxon të zhbëhet është se Kosova nuk duhet të lëshojë pe, është që flamuri i Kosovës nuk guxon të hiqet më prej aty me asnjë kusht. Nuk ka Kosovë më nëse flamuri i Kosovës hiqet nga këto komuna. Nëse heq dorë prej veriut të Kosovës, heq dorë edhe prej Prishtinës sepse nëse heqë dorë prej veriut, Prishtina, Mitrovica, Skenderaji, Vushtrria, Drenasi, Obiliqi, Fushë Kosova mbeten pa ujë, kur mbet Obiliqi pa ujë, mbetet e gjithë Kosova pa rrymë. Në shekullin 21 pa rrymë dhe pa ujë, ky shtet është komplet i varur se sa pika ujë i lëshon atje Serbia”, ka thënë ai.
Spahiu ka thënë se në rast se kërcënimi i faktorit ndërkombëtar fillon të rritet, Qeveria duhet ta tërheqë policinë dhe kryetarët e rinj nga këto komuna, por me kushtin që në këto objekte të vendoset EULEX-i dhe jo t’u lejohet strukturave paralele të kthehen atje.
“Kompromisi që unë mund t’ia sugjeroj kryeministrit Kurti në rast se detyrohet dhe e sheh që kërcënimi vjen duke u trashur edhe më shumë, është që të pranojë të tërheqë policinë dhe kryetarët nga tri komunat nëse EULEX-i vendoset në ato ndërtesa dhe nuk lejon që strukturat paralele të kthehen më aty dhe nëse nuk lejon që të përdhoset flamuri i Kosovës”, është shprehur ai.