E quan ndërhyrjen gjatë paraqitjes publike të pahijshme dhe poshtëruese, duke thënë se ka shkelur etikën shtetërore.
Nexhmedin Spahiu ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për sjelljen e tij gjatë një paraqitjeje publike të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke e cilësuar veprimin si të papranueshëm dhe poshtërues.
Në emisionin “Kosova Live”, Spahiu tha se ndërhyrja e Ramës ishte jashtë çdo norme të etikës shtetërore dhe përbënte nënçmim ndaj institucionit të Presidentes, pavarësisht se në pamje të parë mund të dukej si një gjest lavdërues.
“Sjellja e tij ishte skajshmërisht e pahijshme, pa skrupull dhe e turpshme. Nuk shkohet një grua e huaj ta kapësh përqafe. Si qytetar i Kosovës jam ndier tepër i poshtëruar nga kjo sjellje,” u shpreh Spahiu.
Ai theksoi se Rama ka pasur mundësi ta shprehte vlerësimin ndaj Presidentes Osmani në mënyrë institucionale, përmes një deklarate publike apo konference për media, pa ndërhyrë në paraqitjen e saj.
Spahiu shtoi se kryeministri shqiptar ka bërë edhe më herët gjeste të ngjashme ndaj përfaqësuesve institucionalë të Kosovës, duke i cilësuar këto veprime si të papërshtatshme dhe poshtëruese.
Sipas tij, veprimi i Ramës nuk kishte për qëllim ngacmimin seksual, por përfaqësonte një formë tjetër të nënçmimit. “Edhe në momente gëzimi, sjelljet nuk shprehen në këtë formë,” tha Spahiu.