Lajme

Srebrenica e ka emrin gjithashtu KOSOVË!

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
11:06 / 12 July 2022

Sot përkujtohet 27 vjetori i masakrës më të madhe të pas Luftës së Dytë Botërore, gjenocidit serb të Srebrenicës! Srebrenica duhej të ishte ndërgjegjja e vrarë e Serbisë. Por më shumë e vuajnë atë popujt, kombet dhe njerëzit e pafajshëm, të cilët nuk kanë asnjë rol në atë masakër! Të fajshmit, dhunuesit, masakruesit janë në ekstazë! Kanë larë duart dhe mburren me krimet që kanë bërë! Madje duan përsëri territore, pra duan gjak, duan luftë, duan konflikt, duan që historia e para 27 viteve të përsëritet në Bosnjë-Hercegovinë, në Kosovë e mesa shohim, edhe në Mal të Zi.

Kjo po ndodh, sepse fajtorët e asaj masakre nuk u ndëshkuan. Haga e quajti Srebrenicën produkt të „luftës civile“ në Bosnjë-Hercegovinë. Nuk deshën ta quajnë vepër të Serbisë dhe të Beogradit. Ndërkohë që e gjithë bota e di të vërtetën, të cilën e fshehu edhe trupa gjykuese e gjyqtarëve të porositur për të bërë politikë! Srebrenica është vepër e atyre që asokohe ishin në krye të shtetit të Serbisë. Vepër e Sllobodan Milosheviccit dhe qeverisë së tij. Ishte vepër e partive politike, para së gjithash të radikalëve të Sheshelit dhe Aleksandër Vuçiq. Ishte vepër e Akademisë së Shkencave dhe Kishës Ortodokse të Serbisë, të cilat e frymëzuan atë masakër me programet dhe predikimet e tyre. Ishte vepër e një populli që nuk ngopej me gjakun, vuajtjet dhe viktimat e popujve jo serbë.

Kur Srebrenica u trajtua si vepër e Karaxhiç dhe Mlladiç, ndërkohë që Milosheviçit, Vuçiqit e Daçiqit iu dha amnistia, aty e atëherë u ngjiz Srebrenica e dytë e fundit të shekullit XX, Kosova. Ata që toleruan Srebrenicën, përgatitën në fakt gjenocidin në Kosovë. Kjo është e vërteta dhe mësimi më i madh që nxjerrim nga ndodhitë e mesit të korrikut 1995 në këtë qytet të Bosnjë-Hercegovinës. Nëse masakra që u mori jetën mbi 8 mijë njerëzve të pafajshëm, u përsërit në Kosovë me mbi 13 mijë viktima e 20 mijë përdhunime, kjo ndodhi sepse shumë vite kjo masakër nuk u dënua as politikisht, as ligjërisht, madje dhe as moralisht. Vetëm kur Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi në Hagë e njohu Srebrenicën si gjenocid, vetëm në këtë rast ajo u pa si një ngjarje e tmerrshme në serinë e krimeve serbe kundër njerëzimit.

Megjithatë edhe në këtë rast ndodhi një padrejtësi e çuditshme. Gjykata e Hagës e përcaktoi gjenocidin serb në Srebrenicë si vepër të serbëve të Bosnjë – Hercegovinës e për pasojë tha se shkaku i saj ishte ajo që u quajt “luftë civile” në këtë vend. Nëse kjo gjykatë ose një gjykatë tjetër e ndërkombëtare e drejtësisë do ta njohë gjenocidin serb në Kosovë, ende nuk dihet se kë do të bënte përgjegjës për këtë gjenocid! Do ta konsideronte luftën në Kosovë si luftë civile, apo si përpjekje e qeverisë së Beogradit për asgjësimin e dy milion shqiptarëve banorë të saj, me qëllim serbizimin?!

Në Konventën e 9 dhjetorit 1948 mbi krimet kundër njerëzimit, ku përfshihet edhe gjenocidi, thuhet qartë se „gjenocid quhen rastet kur tentohet asgjësimi i një popullsie për shkak të racës e përkatësisë së ndryshme fetare apo etnike me agresorin dhunues“. Kur për këtë shkak grupe njerëzish vriten e masakrohen, dëbohen nga vendbanimet, ose u shkatërrohet prona dhe u grabitet ajo, kur kryhen përdhunime si mjet presioni për spastrime etnike e fetare etj. Të gjitha këto që përmenden në Konventën Ndërkombëtare të evitimit të krimeve kundër njerëzimit janë kryer në Kosovë nga ana e Serbisë kundër shqiptarëve.

Është tashmë i njohur fakti se gjatë kësaj kohe, ministër i propagandës së Milosheviçit ishte presidenti i sotëm i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ishte Vuçiq ai që përpiqej të fshihte krimet dhe gjenocidin e bashkëkombësve, si dhe ushtrisë e policisë së tij kundër shqiptarëve në Kosovë. Ishte Vuçiq, së bashku me strukturat e ministrisë së Brendshme serbe, ai që udhëhoqi transportimin e kufomave të masakruara nga Kosova në Beograd, Danub e Savë, me qëllim fshehjen e gjurmëve të krimit. Ishte presidenti i sotëm i Serbisë ai që udhëhiqte manipulimin e informacionit të qeverisë kriminale të asaj kohe, me qëllim që vrasjet, masakrat, dëbimet, djegiet, shkatërrimet, përdhunimet të mos njiheshin në opinionin publik ndërkombëtar! Ishte Aleksandër Vuçiq ai që udhëhoqi propagandën, sipas së cilës „Viktimat e shkatërrimet në Kosovë qenë pasojë e bombardimeve të NATO-s“!

Askush nuk duhet të dyshojë se presidenti i sotëm i Serbisë, kishte rol kryesor në gjenocidin në Kosovë dhe ishte aktiv edhe në gjenocidin kundër myslimanëve në Bosnjë-Hercegovinë. Është e njohur kërkesa gebelsiane e tij që për një serb të vrarë të vriteshin 100 myslimanë. Ndaj ai u vu në krye edhe të propagandës për të realizuar gjenocidin kulturor në Kosovë. Me kujdesin e tij u shkatërrua kompleksi i Lidhjes së Prizrenit, biblioteka dhe xhami të shumta në qytete të ndryshme, monumente kulture të trashëgimisë historike të shqiptarëve. Ky gjenocid i udhëhequr nga Vuçiq, kishte për qëllim tjetërsimin e popullsisë, kulturës dhe historisë së shqiptarëve dhe asgjësimin e plotë të saj.

Ndërkohë askush nuk ka dëgjuar që ky autor dhe ekzekutor i terrorizmit shtetëror gjenocidal të kërkojë qoftë dhe një herë të vetme ndjesë për krimet që ka bërë kundër shqiptarëve. Përkundrazi, ai i mbron edhe sot këto krime të tmerrshme. Ndërkohë që kriminelin serb të Srebrenicës dhe gjenocidit me 13 mijë viktima në Kosovë, pra presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e mbron me përkushtim kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri në ikje i Malit të Zi, ai të cilin ne e quajmë shqiptar, Dritan Abazoviç.

Kuvendi i Shqipërisë duhet jo vetëm të miratojë një rezolutë me të cilën të dënohet gjenocidi serb në Kosovë, por edhe të ndalohet bashkëpunimi I kryeministrit Rama me presidentin e Serbisë, së paku derisa parlamenti i Serbisë të kërkojë ndjesë dhe të njohë krimet e tij kundër shqiptarëve.