Lajme

Stavileci: Largimi i 42 mijë qytetarëve gjatë 2021 është rekord i zi për fajin e Qeverisë Kurti

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
9:05 / 29 June 2022

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, ka thënë se është alarmante dhe rekord i zi për shtetin, paraqitja e raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës që dëshmon se 42 mijë e 728 qytetarë e kanë lëshuar Kosovën vetëm gjatë vitit 2021.

Stavileci thotë se këta numra të zi kanë disa shpjegime dhe një fajtor, humbje shprese dhe zhgënjim.

“Dëshpërim ndaj një qeverisjeje që mashtroi mendje dhe korruptoi ndjenja. Irritim për indiferencën e paskrupull ndaj halleve të qytetarëve. E, fajtori është ai që irritimin, dëshpërimin dhe zhgënjimin, i bëri bashkë për ta çrrënjosë shpresën”, tha Stavileci nëpërmjet një shkrimi në faqen e tij në Facebook.

“Rritjet e pakontrolluara të çmimeve të ushqimit, derivateve dhe energjisë, mungesa e pakove ekonomike stimuluese dhe e masave lehtësuese, dështimi për të realizuar investime kapitale dhe për të hapur vende të reja të punës, padrejtësitë dhe pabarazitë sociale, izolimi, si dhe problemet e tjera të shumta po ndikojnë që mijëra qytetarëve, edhe ashtu të lënduar, t’u vritet shpresa për një të ardhme më të mirë në vendin e tyre”, tha shkruan Stavileci.

Shkrimi i plotë i Blerand Stavilecit:

EDHE NJË REKORD I ZI NË SERINË E REKORDEVE TË ZEZA

42.728 qytetarë e kanë lëshuar Kosovën vetëm gjatë vitit 2021 sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Ndërkohë, dhjetëra mijëra të tjerë janë në proces të aplikimit për t’u larguar këtë vit. Këto janë të dhënat më alarmante të largimit të qytetarëve tanë nga Kosova në pesë vitet e fundit.

Këta numra të zi kanë disa shpjegime dhe një fajtor. Humbje shprese dhe zhgënjim. Dëshpërim ndaj një qeverisjeje që mashtroi mendje dhe korruptoi ndjenja. Irritim për indiferencën e paskrupull ndaj halleve të qytetarëve. E, fajtori është ai që irritimin, dëshpërimin dhe zhgënjimin, i bëri bashkë për ta çrrënjosë shpresën. Mbase paqëllimshëm, por vetëdijshëm sigurisht.

Rritjet e pakontrolluara të çmimeve të ushqimit, derivateve dhe energjisë, mungesa e pakove ekonomike stimuluese dhe e masave lehtësuese, dështimi për të realizuar investime kapitale dhe për të hapur vende të reja të punës, padrejtësitë dhe pabarazitë sociale, izolimi, si dhe problemet e tjera të shumta po ndikojnë që mijëra qytetarëve, edhe ashtu të lënduar, t’u vritet shpresa për një të ardhme më të mirë në vendin e tyre.

Fronti i kësaj qeverie nuk do të duhej të ishin as qytetarët, as mësimdhënësit, as mjekët, as bizneset, as sindikatat, as veteranët, por do të duhej të ishin kriza ekonomike, kriza energjetike dhe kriza e çmimeve astronomike.

Kjo është fatkeqësia më e madhe që po i ndodhë vendit tonë aktualisht. Më e madhe se kriza ekonomike dhe më e rrezikshme se situata pandemike. Me ata me të cilët do të mund të krijohej fronti i luftës po krijohet fronti i ikjes, ata me të cilët do të luftoheshin këto kriza janë nga të parët që po e lëshojnë vendin apo po i plotësojnë listat e radhët për ta lëshuar atë.

Kjo gjendje është urgjencë, prandaj kërkon reagim urgjent. Kërkon vizion për zgjidhje, guxim për ndërhyrje dhe dije e kompetencë për vendime e veprime. Ndryshe, vitin 2022 do ta përfundojmë me një rekord të ri edhe më të zi të largimit të qytetarëve nga vendi ynë.