Lajme

​Stojkoviq: Të sanksionohet regjimi i Vuçiqit, krijon tensione në Kosovë për të ruajtur pushtetin

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
2:19 / 6 August 2023

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq përdor çdo mjet për të krijuar tensione në mënyrë që pajtimi me Kosovën të mos ndodhë. Kështu thotë në një intervistë për KosovaPress avokati serb, Cedomir Stojkoviq. Ai përgënjeshtron zërat se Vuçiq ulet në “dy karrige”, duke akuzuar të njëjtin se ulet vetëm në atë të Rusisë, për çka thotë se Perëndimi po e kupton çdo ditë e më shumë një gjë të tillë.

Stojkoviq beson se e gjithë kjo tendencë e Vuçiqit për të krijuar destabilitet ka për qëllim që të ruajë pushtetin në Beograd.

Në intervistën për KosovaPress, Stojkoviq flet edhe për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi dhe thirrjet e serbëve për të kthyer ushtrinë në Kosovë. Ai shprehet i pakënaqur me mënyrën se si bashkësia ndërkombëtare sillet me Serbinë, ndërkohë që ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

Sipas avokatit serb, një regjim i tillë antidemokratik si i Vuçiqit duhet të jetë nën sanksione të Perëndimit.

Stojkoviq: Vuçiq përdor çdo burim për të krijuar tensione

“Epo në përgjithësi, unë shoh që Aleksandër Vuçiq dëshiron të përdorë çdo burim që ka për të krijuar tensione dhe për të ndalur pajtimin, sepse nëse krijojmë pajtim mes popujve tanë, atëherë politikanët si Aleksandër Vuçiq do të humbasin publikun e tyre dhe askush nuk do të votojë për ta. Pra, ai ka nevojë për tensione për të shpëtuar pushtetin…Ai ulet vetëm në një karrige që nga fillimi dhe kjo është karrigia ruse dhe gjithçka tjetër është vetëm një maskë, është vetëm një gënjeshtër, është thjesht mashtrim. Ai është djaloshi rus, ai është njeriu rus dhe të gjithë e pamë këtë që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Ajo që duhet të bëjmë në Serbi është t’u tregojmë partnerëve perëndimorë fytyrën e vërtetë të Aleksandër Vuçiqit, tani është e lehtë, Perëndimi po e kupton gjithnjë e më shumë se kush është ai. Pra, kjo është gjithçka që duhet të themi për të”, thotë ai.

Stojkoviq nuk e sheh të afërt ditën kur do të arrihet marrëveshja përfundimtare Kosovë – Serbi, së paku siç thotë ai, jo derisa në Beograd të mos ketë frymë të re politike.

Stojkoviq: Vuçiq flet për marrëveshjen me Kosovën, por jo në mënyrë të ndershme

Jo, mendoj se Vuçiq e diskuton këtë [marrëveshjen me Kosovën] me Perëndimin, por jo në mënyrë të ndershme dhe për të pasur marrëveshjen e vërtetë përfundimtare mes Beogradit dhe Prishtinës, duhet të kemi në Beograd opsione të reja politike, opsionet që do të shohin se është në interesin më të mirë të Serbisë që Kosova të bëhet pjesë e Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe të gjitha organizatave të tjera ndërkombëtare. Pra, kjo nuk është vetëm në interesin tuaj, por është në interesin tim si qytetar i Serbisë. Unë dua të kem fqinjin tim në të njëjtën organizatë ku jam edhe unë, dhe dua që ne të dy të jemi në Bashkimin Evropian si vende të lira sovrane. Askush në Serbi sot nuk e mbron këtë politikë dhe kjo është e vetmja politikë që do të na sjellë zgjidhjen përfundimtare dhe paqen e qëndrueshme, ne duhet ta ndërtojmë atë politikë në Beograd”, thekson ai.