Lajme

Tahiri: AAK del e forcuar nga zgjedhjet lokale

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
8:21 / 16 November 2025

Besnik Tahiri thotë se performanca e AAK-së në zgjedhjet lokale dëshmoi forcën e partisë, veçanërisht në Dukagjin, dhe paralajmëron një garë më të fuqishme në zgjedhjet e ardhshme.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se zgjedhjet lokale kanë konfirmuar pozitën e saj si një subjekt i konsoliduar dhe stabil politik, ndonëse rezultati nuk nxori një fitues të vetëm në nivel vendi. Ish-deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, në një intervistë për dokumentarin Expose të Gazeta Blic, u shpreh se partia ka treguar performancë të qëndrueshme, veçanërisht në rajonin e Dukagjinit.

“Këto zgjedhje treguan se askush nuk është fitues i plotë i komunave, mirëpo Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u vërtetua si një subjekt politik i konsoliduar dhe mirë i ndërtuar,” deklaroi Tahiri.

Ai theksoi paraqitjen e kandidatit të AAK-së në Prishtinë, Bekë Berisha, duke e cilësuar rezultatin e tij si të mirë, ndërsa veçoi edhe garën në Pejë, ku Ali Berisha, sipas Tahirit, arriti një “rezultat të jashtëzakonshëm”, pavarësisht konkurrencës ndaj një kryetari në detyrë dhe mbështetjes qeveritare për kundërshtarin.

Tahiri paralajmëroi se AAK do të hyjë në zgjedhjet e ardhshme me ambicie më të mëdha dhe me një listë të re kandidatësh. “Do të hyjmë vetë, pa koalicione, me një listë të gjeneratës së mesme dhe politikanëve të dëshmuar që janë në Kuvend,” tha ai.

Sipas Tahirit, këto zgjedhje e forcuan bindjen se AAK mbetet një aktor politik i qëndrueshëm me bazë të konsoliduar në skenën politike të Kosovës.