Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se interpelanca e thirrur nga kjo parti është për shkak se mendojnë se duhet të ketë reflektim të qeverisë në lidhje me agjendën e Serbisë.
Tahiri tha se nuk ka mëdyshje që Serbia është duke e luajtur lojën e saj për destabilizim.
“Dy elemente janë të rëndësishme që të thuhen, një është se Vuçiqi e ka në pullë veprimin politik në Kosovë përmes Listës Serbe. Dhe, këtë nuk e kemi vë në mëdyshje”, është shprehur Tahiri në “Info Magazine”.
Tutje, ai tha se në diskursin publik dhe atë që e prezantojnë ShBA-ja dhe BE-ja, oferta ka degraduar.
“Para se të ndodhë vendimi, debati ka qenë “shtyje për 10 muaj” dhe menjëherë që e ka bërë shkallëzimin e vendimit, disa vende të BE-së i dhanë një mbështetje të vogël, por të nesërmen të gjitha këto vende ia kërkuan Kurtit shtyrjen e vendimit dhe themelimin e asociacionit”, është shprehur Tahiri,.
Më tej, i pari i deputetëve të AAK-së, tha se pozicioni i Kosovës është dobësuar karshi arritjes së një marrëveshjeje, teksa shtoi se si parti nuk do i dalin kundër kryeministrit të vendit në betejë me Serbinë.
“Ne nuk i dalim Albin Kurtit kundër kur është në betejë me Serbinë. Në qoftë se dikush mendon se ne do ta marrim ndonjë veprim që ta rrëzojmë Albin Kurtin në këtë kohë janë gabim”, tha Tahiri.