Lajme

Tahiri: Me Ramush Haradinajn president, “të gjithë do të flinim rehat”

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
6:09 / 2 February 2026

Zyrtari i AAK-së thotë se Haradinaj është kandidat serioz për presidencën dhe thekson nevojën për një emër konsensual me PDK-në dhe LDK-në.

Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në një intervistë direkte për emisionin Frontal në T7, ka deklaruar se Ramush Haradinaj do të ishte një zgjedhje e sigurt për postin e presidentit të vendit.

Sipas tij, nëse në krye të presidencës do të ishte Haradinaj, qytetarët do të ndiheshin më të qetë për drejtimin e shtetit.

“Ramush Haradinaj është kandidat shumë serioz, e kishëm flejtë të gjithë rehat e kishëm ditë që është në krye të asaj zyre, Ramush Haradinaj”, u shpreh Tahiri.

Ai theksoi se me Haradinajn president, Kosova nuk do të rrezikonte prapa në zhvillimet politike dhe diplomatike, duke ruajtur raportet me aleatët ndërkombëtarë.

“Kosova së paku kurrë nuk do të shkonte mrapa e nuk do t’i lëndonte marrëdhëniet me aleatë dhe do ta ruante fuqishëm interesin kombëtar dhe shtetëror”, shtoi ai.

Megjithatë, Tahiri nënvizoi se vendit i duhet një president konsensual, i cili do të ushtrojë detyrën me dinjitet dhe do të ketë mbështetje të gjerë politike. Ai tha se AAK po shqyrton mundësinë e bashkërendimit të veprimeve me PDK-në dhe LDK-në në Kuvendin e ardhshëm.

“Ajo çka ne po bëjmë është po e shohim se si mund të bashkërëndohemi në veprimin tonë politik në Kuvendin e ardhëm të Kosovës bashkë me PDK dhe LDK. Duhet të shihet se cili është qëndrimi i tyre sepse ka nevojë për një kandidaturë konsensuale”, deklaroi Tahiri.

Sipas tij, çështja e presidentit duhet trajtuar me kujdes dhe në koordinim me forcat politike, përfshirë edhe subjektin që ka fituar zgjedhjet.