Besnik Tahiri, shefi i Grupit Parlamentar të Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sërish ka përmendur Ramush Haradinajn, kryetar i AAK-së, si kandidat të mundshëm për president.
Në emisionin Këndi i Debatit, Tahiri ka vlerësuar se Haradinaj i plotëson të gjitha atributet për president.
“Nuk është as sekret e as konfidenciale që AAK-ja e ka një profil, i cili sipas nesh i përmbush tri atributet e një presidenti. Kemi Ramush Haradinajn, i cili i përmbush këto tri atribute për vendin” – ka deklaruar Tahiri.
“Ai është i dëshmuar për vendin, jo vetëm në kohën e luftës, por edhe pas luftës. Nga transformimi i TMK-së, ndërtimi i institucioneve demokratike lokale, konsensusi ndërpartiak për qeverinë e parë në koalicion me presidentin Rugova, e deri te përballja me procese të rënda gjyqësore për Kosovën… Në fund, ai është një profil me përvojë. Presidenti duhet të ketë përvojë dhe pjekuri politike. Unë, me 25 vite përvojë pune, nuk do t’ia lejoja vetes të mendoja se mund të jem kandidat për president” – ka shtuar Tahiri.