NGA: FATON MEHMETI
Në demokracitë moderne, zgjedhjet lokale shihen si një mekanizëm i shëndetshëm për rinovimin e pushtetit, përfaqësimin e qytetarëve dhe sjelljen e ideve të reja në qeverisjen komunale. Megjithatë, realiteti politik në Kosovë ka treguar se kandidimi i njëjtë i figurave politike për disa mandate me radhë, shpesh pa rezultate të prekshme, ka sjellë më shumë probleme sesa zhvillim. Për këtë arsye, është koha të hapet një debat serioz për një ndryshim ligjor që do t’i pamundësonte kryetarëve aktualë të komunave të kandidojnë pafundësisht për të njëjtin post. E para, një kryetar komune që ka pasur në dorë pushtetin për disa mandate, pavarësisht se a ka performuar mirë apo jo, e ka konsumuar veten politikisht.
Qytetarët kanë parë idetë e tij, stilin e udhëheqjes dhe mënyrën e menaxhimit. Nëse rezultatet nuk kanë qenë të dukshme për një mandat të plotë, çfarë garancie ka se do të jenë pas tre apo katër mandatesh? Përvoja ka treguar se pas një periudhe të gjatë në pushtet, pushtetarët humbin kontaktin me qytetarët dhe më shumë merren me ruajtjen e karriges sesa me përmirësimin e jetës së komunitetit.Së dyti, vazhdimësia e njëjtë e kryetarëve krijon një sistem servilësh përreth tyre.
Në vend që të ketë konkurrencë të shëndetshme për ide, për zhvillim, për programe konkrete, krijohet një rreth i mbyllur klientelist, ku individët rreth kryetarit shndërrohen në servilë të pushtetit, duke menduar vetëm për interesat e tyre personale. Kjo shpie në kapje të plotë të komunës nga një grup i vogël njerëzish, duke shuar çdo mundësi për transparencë dhe llogaridhënie.Një tjetër problem është mungesa e frymës së re politike. Nëse të njëjtit kandidatë vazhdojnë të mbajnë peng garën lokale, brezat e rinj, njerëzit me ide të reja dhe energji të freskët, nuk kanë hapësirë për të dalë në skenë. Demokracia nuk mund të zhvillohet me fytyra të konsumuara që shohin në pushtet vetëm një mënyrë jetese dhe jo një përgjegjësi ndaj qytetarëve. Kështu, qytetarëve u mohohet e drejta për të pasur zgjedhje të vërteta mes alternativave të reja.Një reformë ligjore që do të kufizonte kandidimin e kryetarëve në vetëm dy mandate do të sillte frymëmarrje për demokracinë lokale. Ajo do të shërbente si mekanizëm për të shmangur monopolizimin e pushtetit dhe për të hapur rrugë gjeneratave të reja. Për më tepër, kjo do t’i detyronte kandidatët që gjatë dy mandateve të tyre të punojnë me përkushtim dhe transparencë, e jo të rrinë me mendjen te rizgjedhja e pafundme.
Në fund të fundit, pushteti nuk duhet parë si pronë private, por si shërbim i përkohshëm ndaj qytetarëve. Kufizimi i mandateve do të ishte një hap drejt ndërtimit të një kulture demokratike ku askush nuk është i pazëvendësueshëm, dhe ku shërbimi ndaj qytetarëve ka përparësi ndaj qëndrimit me çdo kusht në pushtet. Vetëm kështu do të çlirohemi nga mentaliteti i servilizmit, do të krijojmë hapësirë për ide të reja dhe do të ndërtojmë institucione lokale që funksionojnë për të mirën e përbashkët, jo për një rreth të ngushtë njerëzish.