Ndonëse ka mbetur edhe pak kohë deri në zgjedhjet e ardhshme, aktualisht po flitet për koalicione para dhe paszgjedhore. Cilat parti mund të qeverisin së bashku?
AAK dhe Nisma tashmë kanë bashkuar forcat për të garuar së bashku në zgjedhje. E për këtë vendim të tyre, veprimtari dhe publicisti, Idriz Zeqiraj, thotë se kanë bërë koalicione nga frika e mos kalimit të pragut zgjedhor.
“Parti, partiza dhe grupime minore, kanë bërë koalicione parazgjedhore, nga frika e mos arritjes të përqindjes së nevojshme të pragut zgjedhor. Ndoca parti të tjera janë koalicionuar, për të arritur kuotën e vendit të parë, respektivisht, të dytë. Opozita aktuale ka zgjedhur sulmin frontal, madje, skajshëm, të sforcuar kundër pozitës, sondazhet e së cilës janë shqetësuese, deri në tmerrim. Andaj, qysh tani, opozita, ndoshta edhe pozita, kanë filluar të bëjnë llogaritë për koalicionet pas zgjedhore”, vlerëson ai.
Zeqiraj thotë se, është hedhur ideja e bojkotimit të koalicionit me LVV-në, ngjajshëm siç veproi opozita gjermane, e kryesuar nga CDU, duke e amortizuar fitoren e Kanzelarit Richard Schröder të SPD, me dyshimin që hodhi Amerika, karshi tij për flirtimet me Rusinë, dy dekada më parë.
“Ngjajshëm ndodhi, më vonë, edhe me partinë e ekstremit të djathë austriake, të kryesuar nga Hajder, e cila nuk u pranua nga SHBA, duke imponuar atë t`ia lëshoi vendin partisë së dytë fituese, për të krijuar qeverinë”, thotë Zeqiraj.
Ai thotë se ‘opozita destruktive aktuale e Kosovës, e kryesuar nga PDK, me zvarranikët e saj në PAN, rrëshqiti në faj, deri në krim, duke u bërë aleate besnike e Serbisë, në akuzat e rënda ndaj Kurtit’.
“PAN-i u vu në rolin e spiunimit të Qendrave të Vendosjes, në përpjekjen e ethshme të shpalljes – non grata – të Kryeministrit të Kosovës. Për rrjedhojë, realizoi – sanksionet – e padrejta, deri në absurditet të Kosovës; mos pranimin në Këshillin e Evropës; vënien në dyshim të ndihmave dhe favoreve tjera nga BE-ja; e mbi të gjitha, bartjen e fajësisë nga Serbia dhe mveshja e së keqës Kosovës. Për këtë u angazhua edhe pjesa me e madhe e mediave, e kulmuar me “analistët” banalistë, argatë të PAN-it kriminal. Tashmë, e gjithë kjo gamë poshtërsish është vërtetuar katërcipërisht”, nënvizoi Zeqiraj.