Në një status të ngarkuar me ironi, metafora dhe vetëreflektim, Kimete Berisha i është përgjigjur me stilin e saj karakteristik komenteve e paragjykimeve që i janë bërë për qëndrimet e saj politike. Ajo shfaqet si protagoniste e një satire të shoqërisë, duke ironizuar etiketimet që i vihen grave dhe mënyrën se si politika përpiqet t’i fusë në korniza.
Përmes humorit të zi dhe toneve poetike, Berisha e përshkruan veten si “komandante e ndjenjave”, duke nënvizuar se liria individuale dhe mendimi i pavarur janë më të çmuar se çdo kompromis politik. Statusi i saj është një reagim që ndërthur krenarinë, sfidën dhe artin e fjalës — tipike për stilin e saj të veçantë publicistik.
Postimi i plotë:
Tradhtarja e çajit të zi!
PDK nuk lodhet, me dashtë sonte na çon në “luftë qytetare”,
në bardhak të çajit.
Unë, siç u “zbulua” në një çajtore buzë flamurit të shqyer nga dashuria,
i paskam shitur interesat kombëtare… te Albin Kurti.
Pa më pyetur, bile.
Por, për fat, më shumë më quajnë “biç”,
pak më pak kërcënojnë ta likuidojnë këtë bukuroshe.
Në mes, ndonjë “të fala nanës”.
Po unë nuk ndjej.
Ndjej, por si komandante e ndjenjave,
s’më lejohet të thellohem.
Kështu janë shqiptarët:
gratë i përzënë nga shtëpia sapo ta gjejnë një dashnore,
ndërsa mua… s’më lënë as të marrë çiften e të dalë në gjah.
Ata e dinë se mua nuk më pëlqen kur më turren,
por ata s’e dinë se mua më pëlqen kur kundër-turrem,
sepse jeta pa liri individuale është… ik.
E dashuria? U kam treguar: është shpikje e letërsisë.
Megjithatë, i them PDK-së:
shqyrtoni mundësinë: lidheni qenin,
se s’ka kuptim: jam femër e gjysmë.
Dhe zor jam krijuar. Vetëm.
Dhe,
Gjynah.
S’ua fal populli.
S’ua fal, Mother F.
P.S.
Nga dritarja më thërrasin:
“Hajde, Kimi, hajde!”
Se ata s’e dinë, moj,
që unë jam… tradhtare.’
(Nëse qeshni, dijeni se këtë perlë autorja e shkroi në gjendje të nervozuar.)