Lajme

‘Transferet’ e dyshimta, përmenden shantazhe, para të majme… – Çfarë po ndodhë në skenën politike!?

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
6:15 / 12 September 2022

Qytetarët e Kosovës janë mësuar tashmë që votat e tyre të ‘tradhtohen’.

Në vitet e fundit, nuk kanë qenë të rralla rastet kur të zgjedhurit e popullit (deputetët) kanë kaluar nga partia me të cilën fituan karrigen në Kuvend, në taborin ‘kundërshtarë’.

Kjo, duket të jetë një formë pabesie më të cilën ata i ‘shpërblejnë’ qytetarët që ia besuan atyre votat.

Së fundi, ishte ‘transferimi’ i deputetes Doarsa Kica-Xhelili nga partia ‘Guxo’ në LDK që ngjalli reagime të shumta.

Përveç kësaj, u paralajmërua edhe për largime tjera dhe përçarje brenda partive udhëheqëse.

Rrjedhimisht, u hodhën dyshime se këto lëvizje politike kanë për qëllim dobësimin e koalicionit qeverisës, me synim rrëzimin e qeverisë Kurti.

Analistët politikë për “Bota sot” komentuan këto ‘transfere’ dhe të ardhmen që e pret skenën politike.

Mulliqi: Transferimet mund të ngjallin edhe dyshime më të thella politike

Image

Skënder Mulliqi

Analisti politik, Skënder Mulliq në një prononcim për “Bota sot” komentoi ‘transferet’ që po ndodhin në skenën politike në Kosovë dhe ndikimin e tyre në rrjedhën e zhvillimeve.

Fillimisht, sipas tij përgjegjësia parlamentare ndër vite është keqpërdorur ndaj deputetëve të Kuvendit, ku në shumë raste kanë tradhtuar votën e qytetarëve dhe janë transferuar nga një parti në tjetrën.

“Në demokraci funksionale kërkohet veprimi i mënyrës konstruktive si për pushtet ashtu edhe për opozitë. Përgjegjësia e veprimit dihet në sistemin parlamentar si është, e që për fat të keq në Kosovë, nuk po kuptohet dhe po keqpërdoret. Kur qytetarët e Kosovës votojnë, ata ua japin detyrat të gjithë 120 deputetëve, dhe kjo do të duhej të kuptohej mirë nga ligjvënësit. Jemi dëshmitarë se nuk ndodhi kështu gjatë këtyre viteve, kuvendarët në shumë raste nuk punuan për qytetarët për çka e kanë marrë votën e tyre”, thotë Mulliqi.

Sipas tij Kuvendi shpesh po shndërrohet në arenë zënkash dhe konfliktesh, duke lënë përcaktimin politik.

“Këto lëvizje më duket mua janë bërë më shumë për interesa personale, duke lënë anash përcaktimin politikë dhe programor nga subjekti që është larguar”, deklaroi ai.

Po ashtu, Mulliqi përmendi edhe ndikimet që kanë largimet te partitë e caktuara politike.

Ai kërkoi që lëvizjet e tilla politike të mos lejohet të ndodhin vetëm për pozita politike të premtuara nga një parti tjetër.

Madje, shtoi se transferimet e tilla mund të ngjallin dyshime të thella dhe kjo nuk i bën mirë proceseve politike.

“Ka raste kur kjo prodhon pakënaqësi në mesin e partisë, se aty është marrë edhe besimi dhe largimet apo lëvizjet nuk janë të qëlluara, që ishte dashur të rregullohen me ligj. Deputeti apo deputetja që ka marrë besimin në një subjekt politik, nuk ish dashur të largohet ashtu ad hok, për një pozitë që i është premtuar nga partia tjetër, apo edhe të shprehem ashtu që t’i ngjajë sikur ‘shitet’. Nuk po shohim shumë politikanë të sinqertë në skenën tonë politike.

Më shumë po janë me logjikë obstruksioniste të veprimet, duke kaluar nga një ekstrem në tjetrin. Transferimet mund të ngjallin edhe dyshime më të thella politike, për ata që vendosin të largohen nga subjekti amë, dhe kjo nuk i bën mirë proceseve dhe demokracisë së një vendi. Largimi mund të kuptohet edhe si tendencë e hapur për rrëzim të pushtetit”, nënvizoi Mulliqi.

Më tej, analisti hodhi dyshime mbi paralajmërimet se nga LVV-ja dhe partia ‘Guxo’ mund të ndodhin edhe largime të tjera, pas largimit të Kica-Xhelilit.

Ai dyshon se partitë opozitare kanë vënë në dispozicion të gjitha metodat dhe mjetet e shantazhit, edhe duke dhënë edhe shuma të majme parash.

“Largimi i Kica Xhelilit nga partia e cila mori pushtetin në mënyrën plebishitare, dhe ndonjë paralajmërim tjetër për largim nga LVV apo edhe Lista Guxo, ngjallin dyshim, se opozita ka vënë në dispozicion të gjitha metodat dhe mjetet e shantazhit, edhe duke dhënë edhe shuma të majme parash, që ta bëjë të pamundur funksionimin e qeverisë Kurti. Kjo dhe shumë pyetje hipotetike lidhur me këtë temë, nuk i shërbejnë të mirës për qytetarë dhe as për Kosovën, e cila po kalon një periudhë politike dhe të rrjedhave ekonomike jo të lehtë. Dikush edhe mund të thotë se largimet nga një parti në tjetrën janë normale, gjë që mua nuk më duket bash ashtu”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, Mulliqi tha se duhet të ekzistojë sinqeriteti, jo metodat manipulative të lëvizjeve për profite dhe benifite tjera politike

“Duhet të ekzistojë megjithatë ndjenja e përgjegjësisë dhe moralit politikë, të qëndrosh aty, ku edhe e ke marrë besimin për të qenë deputet, apo edhe në poste tjera qeveritare. Faji është jetim, por që mbetet bindja te qytetarët se shumë njerëzve të politikës, nuk po iu intereson dhe as që po dinë për nevojat e qytetarëve. Duhet të ekzistojë sinqeriteti, jo metodat manipulative të lëvizjeve për profite dhe benifite tjera politike”, përfundoi Skënder Mulliqi për “Bota sot”.