Lajme

Trump firmos “Bordin e Paqes”: Këtu janë të gjithë liderët që dua

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
12:48 / 22 January 2026

Presidenti amerikan Donald Trump mbajti fjalën e tij gjatë prezantimit të nismës me liderë globalë për themelimin e “Bordit të Paqes”, në një ceremoni të organizuar në Davos.

Ai u shpreh se në firmosjen e nismës ishin të pranishëm liderët që, sipas tij, i pëlqen të bashkëpunojë. Me tone humori, Trump tha se zakonisht ka edhe liderë që nuk i ka shumë për qejf, “por jo sot”.

Në mesin e të pranishmëve gjatë prezantimit të nismës ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Kemi një grup të madh të rinj që e udhëheqin. Çdo vend dëshiron të jetë pjesë. Dërguam letra disa ditë më parë dhe u thamë vendeve këtu në Davos se do të ishim të kënaqur t’ju kishim pjesë tani. Tani janë këtu dhe i pëlqej të gjithë. Zakonisht janë dy apo tre që nuk i kam qejf, por këtu të gjithë i pëlqej”, tha Trump.

Ai shtoi se Jared Kushner dhe Steve Witkoff kanë punuar intensivisht për realizimin e nismës, ndërsa theksoi se Hamasi duhet të dorëzohet dhe të lirojë pengjet. Sipas tij, do të ketë një plan të madh për rindërtimin e Gazës dhe se nisma do të jetë e suksesshme.

Trump foli edhe për bashkëpunimin me Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke thënë se OKB-ja ka “potencial të jashtëzakonshëm”, por se shpesh nuk e përdor atë si duhet. Ai pretendoi se në tetë luftëra të cilave, sipas tij, u ka dhënë fund, nuk ka pasur nevojë për ndërmjetësimin e OKB-së.

“Kombinimi i Bordit me OKB-në do të jetë i jashtëzakonshëm për botën. Së bashku kemi një shans të fundit për t’i dhënë fund urrejtjes së dekadave dhe derdhjes së gjakut, për atë rajon dhe për gjithë botën”, deklaroi ai.

Në përmbyllje, Trump u shpreh optimist për arritjen e paqes globale. “Do të kemi paqe në botë. Do të jetë një trashëgimi për të gjithë. Ju jeni nga njerëzit më të fuqishëm në botë. Kur e përdorni talentin tuaj për paqen, e kundërta e paqes nuk ka asnjë shans”, përfundoi presidenti amerikan.