Afati kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit përfundon më 4 mars, vendi rrezikon zgjedhje të reja nëse s’ka marrëveshje.
Afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës po afrohet, ndërsa 4 marsi mbetet data e fundit kur Kuvendi duhet ta zgjedhë kreun e ri të shtetit. Në të kundërtën, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare, duke e futur skenën politike në një cikël tjetër paqartësish.
Derisa emri i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, vazhdon të përmendet si opsioni më i mundshëm për një mandat të ri, në media janë përfolur edhe emra të tjerë potencialë. Mes tyre, në opinion janë lakuar edhe disa anëtarë të familjes Jashari si figura që mund të propozohen për postin e presidentit.
Kryetarja e Nova Demokratska Stranka (NDS), Emilija Rexhepi, ka bërë të ditur për “Front Online” se partia e saj po pret propozimin zyrtar nga kryeministri Albin Kurti për kandidaturën e presidentit të ardhshëm.
Rexhepi tha se ka zhvilluar një takim me Osmanin dhe se nuk ka asnjë problem ta mbështesë atë nëse rikandidohet. “Po presim propozimin zyrtar nga Kryeministri Kurti në lidhje me kandidaten për presidenten tonë të ardhshme. Dje u takova me Presidenten Osmani dhe nuk kam problem të votoj për të nëse ajo është përsëri kandidate”, u shpreh Rexhepi.