Lajme

Ushtria pa bukë, Haradinaj: Të trajtohen në këtë nivel, këtë kurrë se kam besuar

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
2:03 / 12 October 2024

Komandanti i FSK, Bashkim Jashari i është drejtuar me një kërkesë ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonicit lidhur me çështjen e ushqimit të ushtarëve. Në letrën ekskluzive që ka siguruar Gazeta Insajderi, shihet se Jashari i është drejtuar me datën 7 tetor ministrit, duke sqaruar se personali në kuzhina i angazhuar nga institucionet tjera ka potencuar se deri me datë 11 tetor do të paraqitet në punë, dhe nga kjo datë mbesin pa ushqim, si rrjedhojë do të detyrohen t’i ndërpresin aktivitetet.

Lidhur me këtë lajm ka reaguar edhe anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj.

Ai ka thënë se momenti kur është ndjerë krenar si deputet, ka qenë votimi për themelimin e Ushtrisë së Kosovës.

Ndërkohë është shprehur se nuk e ka besuar që vjen dita e ushtarët trajtohen në këtë formë si sot.

“Nëse jam ndjerë krenar si deputet i popullit të Kosovës, ka qenë momenti kur kam votuar themelimin e Ushtrisë së Kosovës, ushtri që e mban gjallë shpresën për një vend të sigurtë e në familjen e madhe politiko-ushtarake NATO. Që vjen dita në 2024 ushtarët tanë të trajtohen në këtë nivel, këtë kurrë se kam besuar. Kjo përbën në vete më shumë se krim. Kjo i nxitë armiqtë e Kosovës e që nuk janë të paktë, që të sfidojnë vendin tonë”, shkroi Haradinaj.

Ai ka pyetur kryeministrin Kurti nëse i ka humbur rruga në oborr.

“Sot do të ishte mirë që përgjegjësit e kësaj situate të ishin të lidhur dhe të përballur me drejtësinë. Kryeministër, të ka humbur rruga në oborr. Shkarko ata që e bënë këtë krim të turpshëm”, deklaroi ai.