Lajme

Veliu kërkon reformim të Degës së LDK në Podujevë: Partia nuk i përket asnjë individi

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
10:05 / 28 January 2026

Agim Veliua, ish-deputet i LDK, ka publikuar një status, ku ka pasur kritika ndaj degës së LDK në Podujevë.

Ai ka kërkuar reformim të degës në këtë qytet, dikur bastion i LDK.

Postimi i plotë:

Postimi i plotë: 

Thirrje për reformim të menjëhershëm të Degës

Të nderuar qëndrestarë, anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së,

Gjërat të thuhen hapur.

Dega e LDK-së në Podujevë ndodhet në krizë të thellë politike dhe organizative. Pesë humbje rresht janë pasojë direkte e një kryetari të komanduar që ka humbur besimin e anëtarësisë, pa marrë asnjëherë përgjegjësi.

Për më shumë se 30 vite Dega jonë ka qenë shembull i organizimit dhe fitoreve, ndërsa për mbi 20 vite qytetarët ma kanë besuar pesë herë drejtimin e Komunës. Kjo tregon se partia di të fitojë kur respektohen parimet, demokracia e brendshme dhe baza e saj.

Pas largimit tim dhe marrjes së kompetencave të kryesisë, me një vendim kundërstatutor dhe të padrejtë, Degës i janë imponuar vendime të mbyllura, përjashtuese dhe pa legjitimitet.

Rezultati është i qartë:

humbje, demotivim dhe largim i anëtarësisë.

Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare, Dega e LDK-së në Podujevë nuk është e përfaqësuar me deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Prandaj, sot bëj thirrje të hapur dhe publike për ndryshime të menjëhershme në Degën e LDK-së në Podujevë.

Në këtë situatë është e domosdoshme:

• Marrje përgjegjësie politike për dështimet e njëpasnjëshme.

• Hapje e Degës ndaj anëtarësisë, jo drejtim i mbyllur dhe i kapur nga interesa personale.

• Zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente, pa imponime dhe pa lista të parapërgatitura.

• Rikthim i unitetit, meritokracisë dhe respektit për kontributin e secilit.

Kjo është thirrje për shpëtim politik të LDK-së.

Heshtja dhe nënshtrimi përballë dështimit vetëm sa e thellojnë krizën dhe e largojnë partinë nga qytetarët.

Duke u angazhuar për proces transparent zgjedhor, nuk kërkoj privilegje, por shpreh gatishmërinë të kontribuoj me përvojën time politike në funksion të reformimit, unitetit dhe rikthimit të besimit të humbur.

Partia nuk i përket një individi, apo një grupi të vogël.

LDK është e anëtarëve dhe votuesve të saj.

Nëse nuk ndryshojmë tani, humbjet vetëm do të vazhdojnë.