Lajme

Vendimi i Kushtetueses për Rashiqin, Kryeziu i shqetësuar: Aktgjykim i dobët

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
7:28 / 28 January 2026

Kadri Kryeziu, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ka komentuar vendimin e Kushtetueses rreth në nënkryetarit serb të Kuvendit.

Kryeziu ka shkruar se ka një shqetësim serioz.

Postimi i plotë:

Kam një shqetësim serioz me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Së pari, ai bie ndesh me vendimet e mëhershme të vetë Gjykatës. Ajo që dje quhej mënyrë për të zhbllokuar Kuvendin, sot quhet shkelje kushtetuese. Kjo e bën të paqartë se cilat rregulla vlejnë realisht dhe e dëmton besimin te drejtësia.
Së dyti, ky vendim e prek diçka shumë themelore: votën e lirë të deputetit. Nëse Kuvendi mund të votojë vetëm kandidatin e propozuar nga një komunitet, atëherë deputetët e tjerë nuk po votojnë më sipas bindjes së tyre, por nga halli – ose e votojnë dikë që nuk e duan, ose e mbajnë Kuvendin të bllokuar.
Kjo nuk është zgjedhje. Është presion i fshehur politik.
Unë e kuptoj nevojën për përfaqësim të komuniteteve dhe ajo duhet të mbrohet. Por nuk mund të mbrosh një parim duke e shkatërruar tjetrin. Nuk mund të mbrosh përfaqësimin duke sakrifikuar lirinë e votës.
Gjykata Kushtetuese duhet të balancojë parimet, jo të anojë në njërën anë dhe ta lërë tjetrën pa peshë. Ky vendim, për mua, nuk e bën këtë.
Dhe megjithëse ky aktgjykim është i dobët, si çdo vendim tjetër i Gjykatës Kushtetuese, ai do të respektohet në përpikëri — prandaj ambasadat dhe misionet ndërkombëtare nuk kanë nevojë të lëshojnë deklarata që na kujtojnë të respektojmë vendimet e saj.