Lajme

Viktor Buzhala: Nuk do të jem pjesë e Kuvendit, verdiktin e pranoj dhe nuk lëshoj pe

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
9:07 / 30 December 2025

Pas numërimit të rreth një të tretës së votave, Buzhala pranon se renditet në fund të listës, por thekson se fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje! dhe puna ekipore janë më të rëndësishme se mandati personal.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje!, Viktor Buzhala, ka reaguar publikisht pas zhvillimeve të fundit zgjedhore, duke bërë të ditur se, bazuar në trendin aktual të numërimit të votave, ai nuk pritet të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Buzhala ka sqaruar gjithashtu se gjatë ditëve të fundit i janë bllokuar përkohësisht dy llogari në Facebook Messenger, për shkak të një numri jashtëzakonisht të madh mesazhesh. Sipas tij, mbi 10 mijë persona kanë tentuar ta kontaktojnë, çka ka bërë që Facebook ta konsiderojë aktivitet të dyshimtë dhe t’ia pamundësojë kthimin e përgjigjeve.

“Kur është numëruar rreth një e treta e votave, në bazë të trendit është e qartë se nuk do të jem pjesë e Kuvendit të Kosovës. Renditem kah fundi i listës dhe verdiktin tuaj e pranoj pa asnjë mëdyshje”, ka deklaruar ai.

Buzhala ka theksuar se gjatë gjithë fushatës zgjedhore fokusi i tij ka qenë promovimi i programit të Lëvizjes Vetëvendosje! dhe jo fushata personale, duke shtuar se videot e publikuara kanë arritur miliona shikime, gjë që e bën krenar.

Ai ka nënvizuar rëndësinë e punës ekipore dhe fitoren e partisë, duke thënë se kjo ka qenë prioriteti i tij kryesor. “Gjithmonë kam qenë lojtar ekipi dhe jam jashtëzakonisht i lumtur që ekipi, pjesë e të cilit jam, ka arritur fitore madhështore”, ka shkruar Buzhala.

Në fund, ai ka përcjellë edhe një mesazh këmbëngulës për vazhdimin e angazhimit të tij politik, duke theksuar se pavarësisht rezultatit, nuk ka ndërmend të tërhiqet.