Kryetari i degës së LDK-së në Ferizaj bën thirrje për durim, unitet dhe mbështetje ndaj lidershipit aktual.
Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Ferizaj, Visar Azemi, ka deklaruar se liderët nuk duhet të ndërrohen pas çdo cikli zgjedhor, duke theksuar se ndërtimi i një kryetari kërkon kohë, përkushtim dhe përkrahje të vazhdueshme.
Sipas Azemit, Lumir Abdixhiku e ka marrë drejtimin e partisë në një periudhë tejet të vështirë për LDK-në, duke bartur një barrë të madhe politike dhe organizative.
“Kryetari nuk ndërrohet pas çdo cikli zgjedhor. Ai ndërtohet përmes një rrugetimi të sinqertë, me përkrahje reale dhe kritikë konstruktive. Abdixhiku e mori LDK-në në kohë të vështirë dhe rruga përpara kërkon durim dhe bashkëpunim,” ka deklaruar Azemi.
Ai shtoi se përgjegjësia për rezultatet zgjedhore është kolektive dhe nuk duhet t’i faturohet vetëm një personi, duke bërë thirrje për reflektim të brendshëm dhe unitet brenda strukturave të partisë.
Azemi theksoi se vetëm përmes maturisë, vizionit dhe bashkimit, LDK-ja mund ta rikthejë besimin e qytetarëve dhe ta forcojë rolin e saj si shtyllë e rëndësishme e demokracisë në vend.