Lajme

Visar Ymeri kritikon qeverinë Kurti: Pas pesë vitesh, rrejshëm fajësojnë opozitën

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
12:43 / 25 November 2025

Analisti akuzon Vetëvendosjen për sundim ligji dhe për keqmenaxhim të buxhetit të Prishtinës, duke paralajmëruar krijimin e strukturave oligarkike.

Në një intervistë të fundit në emisionin Debat Plus, analisti Visar Ymeri kritikoi ashpër qeverinë Kurti, duke thënë se pushteti aktual po paraqitet rrejshëm sikur bllokohet nga opozita, pavarësisht se Vetëvendosja është në qeverisje për pesë vjet.

“Qeveria e 50 për qindshit… 5 vjet në pushtet, ankohen që opozita s’i lë me punu. Është e pavërtetë. Nuk mund ai pa pushtet me të pengu ty që e ke pushtetin absolut”, tha Ymeri.

Ai akuzoi edhe Presidenten Vjosa Osmani se po flet si pjesë e Vetëvendosjes, duke theksuar se ajo “ka folur më shumë si Vetëvendosje se Glauk Konjufca kur kërkonte votën për kryeministër”.

Analisti shtoi se qeveria ka pasur mundësi të zgjidhë çështjen e buxhetit për Prishtinën, por nuk ka vepruar. “Hekuran Murati sot thotë ‘po kqyrim me bo zgjidhje’, por pse s’e ka bërë më herët?”, pyeti Ymeri. Ai akuzoi qeverinë për shpërndarje të jashtëligjshme të fondeve në raste të tjera, ndërkohë që Prishtinës ia ka bllokuar të hyrat vetanake.

Ymeri gjithashtu theksoi se protesta e punonjësve të Trafikut Urban dëshmoi se shërbimet në kryeqytet janë në krizë dhe se pa instrumente minimale, qyteti do të hynte në kaos.

“Vetëvendosja nuk e do sundimin e ligjit — do ta sundojë ligjin. Ligji është ashtu si thonë ata, jo siç është i shkruar”, tha ai me cinizëm.

Analisti përmendi shembuj të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që qeveria i ka injoruar dhe përfundoi duke paralajmëruar se qeveria po krijon struktura oligarkike të pushtetit, ku vendimmarrja u delegohet personave pa pushtet formal, duke e përshkruar si “pushtet oligarkik, jo demokratik”.