Lajme

Vjosa Osmani kritikon BE-në: Kosova nuk po vlerësohet për progresin e saj

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
4:30 / 14 November 2025

Presidentja thotë se rruga integruese e Kosovës mbetet e bllokuar dhe aplikimi për statusin e vendit kandidat po qëndron “në sirtarët e BE-së”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kritikuar Bashkimin Evropian për mosvlerësimin e progresit që ka bërë Kosova, në një intervistë për “Politico”, raporton Gazeta Express.

Osmani tha se Kosova nuk bën “flirt” me fuqitë keqdashëse si Rusia, Kina dhe Irani — të cilat i quajti “trekëndëshi i së keqes” — por ndjen se puna e saj nuk po merret parasysh. Ajo theksoi se rruga integruese e vendit mbetet e bllokuar, dhe procesi i bazuar në merita, për të cilin BE-ja flet shpesh, ende nuk shihet në praktikë.

Reformat tona në ekonomi, në sundim të ligjit dhe në luftën kundër krimit dhe korrupsionit kanë qenë thelbësore. Megjithatë, në rrugën tonë të integrimit evropian, jemi të bllokuar. Duket sikur procesi i bazuar në meritë mbetet diçka që duhet të vijë. Unë ende nuk e shoh të ndodhë”, tha Osmani.

Presidentja kosovare shpreson që Gjermania të luajë një rol udhëheqës në avancimin e procesit integrues, duke theksuar se Kosova kërkon respekt për punën e bërë dhe për pranimin e reformave, jo bamirësi. Ajo përmendi gjithashtu se aplikimi i Kosovës për statusin e vendit kandidat, i dorëzuar në dhjetor 2022, ende nuk është shqyrtuar dhe qëndron “në sirtarët e Bashkimit Evropian”.

Osmani nënvizoi potencialin e madh të Kosovës, duke e cilësuar popullsinë e re si shumëgjuhëshe dhe të aftë, si dhe theksoi rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor të qëndrueshëm për sigurinë e Evropës.

Ballkani Perëndimor që nuk është i paqes, i qëndrueshëm dhe i sigurt, do të thotë një Evropë që nuk është e paqes, e qëndrueshme dhe e sigurt,” shtoi ajo.