“Zënka grash të pushtetshme”, analisti i reagon Çitakut për deklaratën ndaj Osmanit – i kujton diçka nga e kaluara
Profesori dhe njohësi i çështjeve politike Binak Maxharraj, ka reaguar ndaj nënkryetares së Partisë Demokratike të Kosovës Vlora Çitaku, lidhur me deklaratën e saj ndaj presidentes Vjosa Osmani dhe ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, lidhur me Gjykatën Speciale.
Maxharraj ka thënë se zënkat e grave të pushtetshme se kush qëndron prapa themelimit të Speciales, janë të pakripura, përcjell Bota sot.
Ai ia ka përmendur Çitakut zënkën me diplomaten nga Bosnja në Uashington, kur sipas tij, ajo e përkrahte Hashim Thaçin për shkëmbim territoresh.
Reagimi i Maxharrajt në Facebook:
Zënka grash të pushtetshme.
Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, të cilën e mbaj në mend për të mirë një paraqitje të saj brilante në Këshillin e Sigurimit të KB lidhur me luftën tonë çlirimtare që bëri UÇK-ja, e cila e la pa tekst, e la me gojë hapur Ivica Daçiqin, ministrin e jashtëm të Serbisë, duke ia mohuar të gjitha rrenat e tij rreth UÇK-së, e mbështet atë për muri. Për këtë reagim të saj në atë kohë edhe e pata shkruar një shënim në “Botasot” me titull: “Të lumtë Vlora Çitaku, ia zbardhe fytyrën kombit”.
Por, gjithashtu ambasadoren Vlora Çitaku e mbaj mend për të keq për një zënkë me diplomate nga Bosnja në Uashington kur e përkrahte Hashim Thaçin për shkëmbim territoresh. Por nejse ka edhe sot nënkryetar të PDK-së që e përkrahin këtë ide.
Por bëhet fjalë për atë se sot nënkryetarja e PDK-së Vlora Çitaku, i paska reaguar Presidentes Vjosa Osmani dhe Ministres së Drejtësisë për themelimin e Gjykatës Speciale duke thënë se “dihet kush ka votuar për themelimin e Gjykatës, e dimë kush e ka kundërshtuar rrejshëm, e kush sinqerisht Specialen”. Është bukur zor njeriu të hyjnë në filozofinë e Vlora Çitakut e të kuptoj kur thotë se “dihet kush e ka kundërshtuar rrejshëm” themelimin e Gjykatës Speciale. Një term i ri ne filozofinë politike të Vlora Çitakut.
Termi filozofik i saj se “kush e ka kundërshtuar rrejshëm, e kush sinqerisht”, me e zbërthy na del se Gjykatën Speciale e ka votuar Parlamenti i Kosovës, e cila vepron me Ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës dhe e cila edhe u desh që të amandamentohet për këtë qëllim. Por, edhe dihet publikisht se kush insistonte më së shumti që kjo Gjykatë të formohej, por edhe më shumë dihet se këtë Gjykatë nuk e kanë votuar komplet LVV dhe disa individë nga PDK. Por, gjithashtu dihet se kjo Gjykatë na është imponuar nga ndërkombëtarët, nga SHBA dhe BE për arsyet qe veç ata i dinë.
Poashtu, ajo se çka dihet është fakti, se pasiqë veç u bë i njohur raporti i Dik Martit me trillimet e tij për trafikim organesh, i cili doli i rrejshëm, pse me kohë nuk u reagua nga pushtetarët tanë që të mos ndodhë kjo, sepse siç dihet pemës për tu tha, duhet me ja pre rrënjët, por kjo nuk u bë, pati pretendim për paditjen e Dik Martit, por as kjo nuk u bë.
Këto ditë, pra shumë vite më vonë, kjo gjykatë u bë aktuale sidomos këto ditë ku Parlamenti i Shqipërisë votoi Rezolutën për rishqyrtimin e ekzistence se kësaj Gjykate. Por, gjithashtu dihet, siç thekson kryeprokurori amerikan Wiliamson se në aktakuzën e kësaj gjykate nuk përmendet me asnjë fjalë trillimet e Dik Martit për trafikim organesh, nuk përmendet askund se në tapet është UÇK, sepse luftërat çlirimtare nuk vlerësohen nëpër gjykata, sepse UÇK ka bërë luftë çlirimtare dhe se lufta e saj është e pastër si loti, është fituar me gjakun e bijve dhe bijave tona, por akuzat bëhen për diçka krejt tjetër për çka edhe është i njohur opinion i gjerë.
Parlamenti i Shqipërisë e nxori këtë rezolutë, e cila është me vend, por me reagim tepër të vonë, sepse siç thashë “përmes nuk iu prenë rrënjët me kohë, kurse pema sot është rritë dhe ka lëshuar rrënjë thellë e me thellë”.
Uroj që Parlamenti i Shqipërisë pas kësaj Rezolute për Gjykatën Speciale, të nxjerrë edhe një Rezolutë për dënimin e krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë. Por, po të donte Edi Rama më Parlamentin e tij ka mundur këtë të bëjë edhe me herët, por se ka bërë, duke iu bashkuar Serbisë së Vuçiqit për injorimin e krimeve dhe gjenocidin në Kosovë, duke e ditur se Edi Rama nuk ia “plasë zemrën vëllait të vetë serb Vuçiq”, sepse simpatia për të e ka kapluar të tërin sa që jo vetëm që po i injoron krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë, por i ka harruar edhe vëllezërit e motrat e tij të një gjaku në Kosovë.
Dhe për në fund zënkat e grave të pushtetshme në Kosovë se kush e ka “kundërshtuar rrejshëm, e kush sinqerisht, e kush e ka përkrahë këtë gjykatë”, vërtetë janë zënka të pakripura, kur dihet se prapa kësaj Gjykate qëndrojnë shtetet me te fuqishme, të cilat edhe e kanë dhënë nismën për themelimin e saj.
Por, dashtë zoti që njerëzit tanë të dalin nga atje faqe bardhë”.