Partia Përparimtare serbe e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, pretendon një fitore të thellë në zgjedhjet parlamentare të së dielës që u përcollën me me raporte për parregullsi të mëdha si gjatë fushatës së tensionuar po ashtu edhe në ditën e votimit.
Presidenti serb tha se lista “Serbia nuk guxon të ndalet”, e udhëhequr prej tij ka fituar 46.5 për qind të votave e pasuar nga lista “Serbia kundër dhunës” e partive opozitare me 23.5 për qind.
Nënkryetarja e Partisë Përparimtare Serbe, Ana Bërnabiç, kryeministre në detyrë, tha se në bazë të rezultateve paraprake lista e drejtuar nga partia e saj do të ketë shumicën absolute me mbi 125 deputetë në parlamentin 250 vendesh të Serbisë.
Vëzhgues të partive opozitare raportuan për parregullsi të mëdha si gjatë fushatës së tensionuar ashtu edhe përgjatë ditës së votimit.
Mediat e pavarura thanë se serbë nga Bosnja fqinje u mblodhën për të votuar në një sallë sportesh në Beograd që nuk ishte një qendër votimi zyrtar. Një ekip monitorues u sulmua dhe makina e tyre u godit me shkopinj bejsbolli në një qytet në veri të Serbisë.
Vëzhguesit nga Qendra e Pavarur për Kërkime, Transparencë dhe Përgjegjësi, (CRTA) shprehën “shqetësimin më të thellë ” për rastet e transferimit të organizuar të votuesve të paligjshëm të dielën nga vendet e tjera në Beograd
“Përqendrimi i autobusëve, furgonëve dhe makinave u vu re në disa pika në Beograd, duke transferuar votuesit në qendrat e votimit në të gjithë qytetin për të votuar,” tha grupi, ndërsa autoritetet hodhën poshtë çdo keqbërje.
CRTA raportoi gjithashtu raste kur votuesve u jepeshin para për të votuar për partinë në pushtet dhe për praninë e personave të paautorizuar në qendrat e votimit.