Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se u ka dërguar letra 15 vendeve të fuqishme për situatën me Kosovën.
Ai përmes Happy TV ka thënë se në këto letra ka shkruar se Serbia do paqe e jo luftë.
“Ju gjithmonë mendoni se njerëzit e dinë, na takon ne t’i njohim ata, të përpiqemi të themi se ne duam paqe dhe stabilitet, se ne nuk duam luftëra, se ne nuk i bëmë ato”, ka thënë Vuçiq.
Vuçiq tha se elitat politike të vendeve perëndimore do të përpiqen ta përshpejtojnë zgjidhjen e çështjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shkak të zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe zgjedhjeve për Parlamentin Europian.
Vuçiq po ashtu theksoi se Perëndimi po nxiton ta përshpejtojë zgjidhjen e çështjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sepse “nuk janë plotësisht të sigurt se Ukraina mund ta mposht Rusinë”.
“Meqë nuk janë të sigurt, ata e dinë se mund të ndodhë që dikush të dalë me një rrëfim për precedentët që janë arritur në Kosovë. Prandaj duhet futur Serbinë në atë hinkë dhe ta përfundojë atë histori”, tha Vuçiq.