Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka mbrojtur Sllobodan Millosheviqin duke thënë se ai nuk ishte fajtor për luftërat dhe gjenocidin e kryer në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, ani se ky i fundit njihet si “Kasapi i Ballkanit”.
“Sot, gjërat janë shumë më të vështira sesa atëherë. Sot kur flasim për konfliktin në ish-Jugosllavi, ne gjithmonë e gjejmë fajtorin te dikush tjetër. Mendoj se duhen dy palë për luftë. Dhe unë them se [Sllobodan] Millosheviqi nuk ishte fajtori, por ishte detyrë e tij t’i llogariste pasojat”.
Madje, ai deklaroi se ish-eprori i tij vetëm i ka kalkuluar pasojat derisa i sugjeroi presidentit rus dhe atij ukrainas që ta ndalin luftën dhe t’i shpëtojnë vendet e tyre.
“Të njëjtën gjë do t’ia thoja sot [Vladimir] Putinit dhe [Volodymyr] Zelenskyt: ju takon juve ta pranoni fajin – të jeni tradhtarë, të humbni zgjedhjet, por të shpëtoni vendet tuaja”.
“A është dikush në Ukrainë që të llogarisë se dikush do të ndërhyjë dhe në fund ata do të nënshkruajnë të njëjtën marrëveshje që do të nënshkruanin tani. Vetëm vendi do të jetë shumë më i shkatërruar. A doni një fund të luftës apo fitore – kjo është një pyetje për të dyja palët. Kam frikë se të gjithë presin fitoren. Dhe nëse po, mund t’ju them sonte se ditët, javët dhe muajt përpara nesh vetëm do të përkeqësohen”, ka thënë ai për televizionin serb “Prva”, transmeton Klankosova.tv.
I pari i Serbisë foli edhe për mossanksionomin e Rusisë duke thënë se nuk mund ta ‘dënojnë’ aleatin e vetëm që ka qenë në anën e tyre në dhjetë vjetët e fundit.
Vuçiq e kishte lavdëruar njeriun me epitetin “Kasapi i Ballkanit” edhe në fjalimin e tij në veri të Kosovës duke thënë se kishte pasë qëllime të mira, derisa asesi s’kishte përmendur të bëmat ndaj popullit të Kosovës.
“Millosheviqi ishte lider i madh, qëllimet i kishte më të mirat, por rezultatet i patëm të këqija, jo pse ai apo dikush tjetër e dëshiroi këtë, por për shkak se dëshirat nuk ishin reale, ndërsa interesat e popujve të tjerë i kemi nënçmuar. Dhe për këtë kemi paguar çmimin më të lartë”.
Detaje nga ky fjalim i presidentit serb mund t’i ndiqni në kronikën e Klan Kosovës të realizuar më 9 shtator të vitit 2018.