Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se së shpejti do të lejohet eksporti i grurit në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të rajonit, sepse Serbia ka rezerva të mjaftueshme.
“Kështu sillen shtëpiakët. Njerëzit në rajon, as brenda kornizave të “Ballkanit të Hapur”, e as në Bosnje apo Mal të Zi, nuk do të kenë probleme”, tha Vuçiq.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Vranjë, Vuçiq deklaroi se gruri, vaji, mielli e sidomos misri janë gjithnjë e më të kërkuar në rajon dhe në botë.
Vuçiq ka shpjeguar se Serbia ka disa marrëveshje të vjetra, por edhe disa të reja për eksportin e deri në 350 mijë tonë grurë, por shtoi se ai personalisht ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë që të ndalojë përkohësisht eksportin, sepse 800 mijë tonë do të tërhiqeshin nga rezervat shtetërore, e që sipas tij nuk do të paraqiste ndonjë problem të madh, por nënvizoi se “këto rezerva duhet të ruhen për banorët e rajonit”.
“Kërkesat e para zyrtare që morëm ishin në përputhje me ato marrëveshje të cilat i kemi nënshkruar më Shqipërinë. Për këtë po flasim tani dhe ne do të lejojmë eksportin e grurit në Shqipëri sa më shpejt që të jetë e mundur. Kjo çështje u zgjidh brenda një kohe tejet të shkurtë”, tha Vuçiq.